Wednesday, July 22, 2026
  • Login
Maska.al
Advertisement
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit
No Result
View All Result
Maska.al
No Result
View All Result
Home AKTUALITET

Imuniteti shërben për detyrën e deputetit, jo për të shkelur ligjet

Imuniteti shërben për detyrën e deputetit, jo për të shkelur ligjet

Redaktor Redaktor by Redaktor Redaktor
in AKTUALITET, KRYESORE
0
Imuniteti shërben për detyrën e deputetit, jo për të shkelur ligjet
0
SHARES
Share on FacebookShare on Twitter

Në vitin e largët 1397, një anëtar i parlamentit anglez u arrestua nga gjykata “e mbretit” dhe u dënua me vdekje, akuzuar “për tradhti”. Lindi në këtë mënyrë ajo që sot njihet si imuniteti nga përndjekja i deputetit, në mënyrë që ai të mund të ushtrojë punën e deputetit i lirë, pa u ndëshkuar për atë që flet apo mënyrën se si voton.

Në formën aktuale, imuniteti i deputetit rrjedh nga Revolucioni Francez, në të cilin u vendos, (mes shumë gjërave të tjera) që deputeti të mund të ushtrojë deputetllëkun pa frikë se do të ndëshkohet.
Siç vërehet, imuniteti i deputetit është një instrument që synon të mbrojë deputetin, normalisht atë kritik dhe kundërshtar me pushtetin – ose mbretin në rastin e Anglisë së shekullit të katërmbëdhjetë – nga arrestimet potencialisht arbitrare, me qëllim që, fjala vjen, deputeti të ndalohet të shkojë në parlament për të votuar apo për të folur.
Ndërsa shteti modern u zhvillua, një nga zhvillimet kyçe që u konceptua nga Montesquieu, i cili ishte gjykatës, dhe u zbatua fillimisht pas Revolucionit Amerikan, ishte ndarja e sistemit të drejtësisë nga ekzekutivi. Në këtë kontekst, gjykata nuk ishte më “e mbretit”, por ishte e pavarur nga ekzekutivi.
Megjithatë, shumë klauzola ligjore mbesin formalisht në fuqi si relike pavarësisht nëse kanë apo jo vlerë praktike dhe aktualisht, në Mbretërinë e Bashkuar, deputeti nuk lejohet të arrestohet “për shkak të borxheve” rrugës nga shtëpia për në parlament dhe rrugës së kthimit nga parlamenti për në shtëpi.

Ndalimi i arrestimit të deputetit “për shkak të borxheve të pashlyera” rrjedh nga praktika e gjithëpërhapur e kohës së Mesjetës së arrestimit dhe burgosjes së çdokujt që binte në faliment. Por diku përgjatë zhvillimit të shtetit modern, bota kuptoi se ishte mizore dhe jopraktike burgosja e një të falimentuari dhe ligji i ndalimit të arrestimit të deputetit “për borxhe” vijon të jetë teknikisht në fuqi, pavarësisht se në botën e sotme, askush nuk mund të burgoset “për borxhe”.
Por deputeti natyrisht që mund të arrestohet për vepra penale. Për këtë nuk ka dhe nuk ka se si të ketë imunitet. Dhe natyrisht që nuk arrestohet dhe as nuk gjykohet as nga qeveria dhe as nga parlamenti. Arrestohet dhe gjykohet nga sistemi i drejtësisë, i cili duhet të jetë i pavarur nga këto dy pushtetet e tjera dhe “kufizues” ndaj pushtetit të këtyre dy të tjerëve.
Kuvendi i Shqipërisë pritet të debatojë gjatë ditëve në vijim, kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, ministre dhe zëvendëskryeministre, e marrë e pandehur për manipunimin e një numri të konsiderueshëm procesesh të prokurimeve publike. Aktualisht po ruhet si sekret argumentimi se pse SPAK mendon se Balluku duhet të arrestohet, ndërsa deri më tani ka qenë e marrë e pandehur në gjendje të lirë.
Por ndërsa nuk e dimë se pse SPAK kërkon arrest, ajo që dimë është që roli i Kuvendit nuk është që të bëjë gjykatën dhe se, procesi i autorizimit të prokurorisë për të arrestuar një anëtar të kuvendit duhet të jetë formal. Në këtë kontekst, imuniteti i deputetit (dhe i ministrit gjithashtu), ndalon arrestimin pa paralajmërim të një deputeti, fjala vjen, rrugës duke vajtur në parlament për të votuar, por nuk është dhe nuk mund të jetë mburojë përballë akuzave të karakterit penal. Institucioni që ka për detyrë të gjykojë meritat e kërkesës së prokurorisë për masë sigurie, dhe provat e mbledhura prej saj, është gjykata.
Historia e re e Shqipërisë ka dhënë disa shembuj, në përgjithësi negativë, në lidhje me kërkesat e prokurorëve për lejim arrestimi. I pari, në fillimet e së ashtuquajturës demokraci, kur prokuroria ishte, siç vijoi deri vonë të ishte, një degë e pacipë e ekzekutivit, ishte rasti i heqjes së imunitetit, arrestimit dhe dënimit të Fatos Nanos, në atë kohë, kreu i opozitës. Historia tashmë dihet. Shumica demokrate në parlament autorizoi prokurorinë e kohës për arrestimin e Nanos nën akuzat për korrupsion, ndërsa vëzhguesit ndërkombëtarë e konsideruan atë një të burgosur politik.

Kushtetuta e vitit 1998 i dha deputetëve dhe gjyqtarëve një imunitet ektrem, jo vetëm ndaj arrestimit, por edhe ndaj hetimit.
Në vitin 2008, tentativat e demokratëve për të vonuar miratimin e kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu, ish-Ministër i Mbrojtjes i akuzuar për shpërthimin tragjik të Gërdecit në 15 mars të atij viti, dështuan pas presionit eksplicit të partnerëve ndërkombëtarë.
Në vitin 2010, Gjykata e Lartë e pushoi çështjen duke argumentuar se, pas zgjedhjeve të vitit 2009, Mediu fitoi një mandat të ri deputeti dhe rrjedhimisht, imunitet të ri. Prokuroria nuk bëri më kërkesë për heqjen e imunitetit të ri dhe përgjegjësia potenciale e Mediut për shpërthimin tragjik mbeti deri vonë e pahetuar dhe e pagjykuar.
Në vitin 2012, si pjesë e përpjekjeve për luftën kundër korrupsionit, imuniteti parlamentar u reformua dhe u kufizua disi.
Socialistët u përballën për herë të parë me një kërkesë për heqje imuniteti në vitin 2018, kur një grup trafikantësh droge nga Vlora u goditën nga drejtësia italiane. Personi, imuniteti i të cilit u kërkua të hiqej ishte ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri. Nën udhëheqjen e Edi Ramës, prokurorët që kërkuan heqjen e imunitetit ndërsa po hetonin Tahirin për as më pak e as më shumë trafik ndërkombëtar droge, u shpallën armiq. Shumica socialiste përdori forcën e kartonëve për të rrëzuar kërkesën e prokurorisë, duke vepruar në këtë mënyrë si gjykatë ndërsa u përpoqën të bindin shqiptarët se “nuk ka prova”, apo se kërkesa e prokurorisë “ka sfond politik”.
Nën presion, Tahiri dha dorëheqjen ca kohë më vonë si deputet dhe u vendos menjëherë në arrest shtëpie. Siç dihet, ai u dënua nga gjykata për abuzim me detyrën, por u shpall i pafajshëm për akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Rasti i dytë ishte në korrik 2023, kur Prokuroria e Posaçme kërkoi heqjen e imunitetit të Arben Ahmetajt, ish-zv/Kryeministër. Në atë rast, Rama deklaroi se prokuroria kishte dërguar një material prej mbi 400 faqe dhe se kjo përbënte provë të mjaftueshme për të. Ahmetaj e humbi mandatin e deputetit, por pati kohë të mjaftueshme për të kuptuar se çfarë po ndodhte dhe u arratis nga vendi në kohë.
Thelbi i debatit në rastin “Tahiri” ishte nëse parlamenti kishte autoritetin të gjykonte cilësinë apo vlefshmërinë e provave që shoqëronin kërkesën e prokurorëve. Rama pretendonte se po, ndërsa logjika ta thotë se jo, kuvendi nuk është gjykatë, nuk funksionon si gjykatë dhe nuk mundet të gjykojë provat. Kuvendi mundet vetëm ta shqyrtojë kërkesën nga ana formale. Ekzistenca, cilësia, vlefshmëria e provave janë gjëra që shqyrtohen nga institucioni kompetent për këtë punë, që është gjykata.
Në komentin e tij të parë pas dorëzimit të kërkesës së SPAK për imunitetin e Ballukut, gjithsesi Rama la të kuptohet se ai do t’i japë të drejtë vetes të gjykojë provat, kur e cilësoi kërkesën e prokurorisë si ftesë për të dhënë “opinion”. Jashtë parlamentit, me zë gjithsesi shumë të mekur në krahasim me rastin Tahiri, mbështetësit e qeverisë po përpiqen të artikulojnë idenë e një prokurorie politike, që supozohet se po shënjestron zyrtarët socialistë, jo pse janë të korruptuar, por se kanë “qëllime politike”.
Përballë pretendimeve të tilla është shumë e vështirë të mos qeshësh.

Ndryshe nga Anglia e shekullit të katërmbëdhjetë, gjykatat në Shqipëri nuk janë “të mbretit”, ato janë të krijuara me ligj dhe funksionojnë në bazë të ligjit. Veprimet e prokurorisë nuk janë arbitrare, ato i nënshtrohen gjykatës së shkallës së parë, vendimet e së cilës mund të apelohen në gjykatën e apelit, kundër vendimeve të së cilës mund të bëhet rekurs. Të pakënaqurit me tre shkallë drejtësie kanë gjithashtu mundësinë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Është shumë e vërtetë që, si rrjedhojë e trashëgimisë komuniste, gjykatat dhe prokurorët kanë prirje të mos respektojnë prezumimin e pafajësisë dhe, siç u vu re në disa prej rasteve të procesit të vetingut të prokurorëve, kishte syresh që mendonin se masa e sigurisë arrest me burg “është e duhura” për shkak se, për disa vepra të lehta penale, njeriu mund t’ia hedhë edhe pa bërë burg, duke u dënuar me kusht. Kjo nuk është e vlefshme në rastin e zyrtarëve socialistë që janë përballur me drejtësinë.
Në këtë kontekst, edhe vetë zvarritja procedurale e vendimit për heqjen e imunitetit të Ballukut është e papranueshme. /BIRN

 

Previous Post

Zgjidhet kryetarja e re e Gjykatës Kushtetuese

Next Post

Këshilli Bashkiak miraton buxhetin 400 mln € pa Veliajn/ Shpërthen PD: Vendim i paligjshëm

Next Post
Këshilli Bashkiak miraton buxhetin 400 mln € pa Veliajn/ Shpërthen PD: Vendim i paligjshëm

Këshilli Bashkiak miraton buxhetin 400 mln € pa Veliajn/ Shpërthen PD: Vendim i paligjshëm

Kamerat e sigurisë “fundosin” zyrtaret e Postës! Pamjet tregojnë lëvizjet e thasëve me para nga arka drejt zyrës së drejtoreshës
AKTUALITET

Kamerat e sigurisë “fundosin” zyrtaret e Postës! Pamjet tregojnë lëvizjet e thasëve me para nga arka drejt zyrës së drejtoreshës

by Redaktor Redaktor
July 19, 2026
0

Pamjet e kamerave të sigurisë janë një nga provat mbi të cilat Prokuroria mbështet dyshimet për përvetësimin e 69 milionë...

Read moreDetails
Policia fsheh ngjarjen e rëndë?! Aksidenti i rëndë, një person në koma, asnjë sqarim nga uniformat blu

Policia fsheh ngjarjen e rëndë?! Aksidenti i rëndë, një person në koma, asnjë sqarim nga uniformat blu

July 21, 2026
Doganierë të përfshirë? Skandali në Postën Shqiptare, Elisabeta Mataj tentoi të fshihej: Çfarë u zbulua në TIMS

Doganierë të përfshirë? Skandali në Postën Shqiptare, Elisabeta Mataj tentoi të fshihej: Çfarë u zbulua në TIMS

July 19, 2026
Detaje të reja nga atentati në Elbasan, kush ishin shënjestrat dhe si u plagos kamarieri 19-vjeçar

Detaje të reja nga atentati në Elbasan, kush ishin shënjestrat dhe si u plagos kamarieri 19-vjeçar

July 21, 2026
Atentat në Pogradec/ Kapet personi që siguroi vëzhgimin e shënjestrës, arrestohet edhe i plagosuri Brian Syzo

Atentat në Pogradec/ Kapet personi që siguroi vëzhgimin e shënjestrës, arrestohet edhe i plagosuri Brian Syzo

July 17, 2026
Facebook TikTok
Maska.al

Maska.al

Tel: 0696118290
Email: [email protected]

Shfletoni sipas Kategorisë

Lajmet e fundit

Përplasja Rama–Becchetti, faturë milionëshe për qytetarët/ Zbulohen kostot e mbrojtjes ligjore

Përplasja Rama–Becchetti, faturë milionëshe për qytetarët/ Zbulohen kostot e mbrojtjes ligjore

July 22, 2026
Shkelën procedurat e punësimit të Muçi Shaljanit, 6 muaj burg për dy ish-zyrtarët e AMP-së

Shkelën procedurat e punësimit të Muçi Shaljanit, 6 muaj burg për dy ish-zyrtarët e AMP-së

July 22, 2026

© 2023 Maska.al

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Kryesore
  • AKTUALITET
  • POLITIKE
  • Ekonomi
  • BOTË
  • Rajoni
  • SOCIALE
  • OP-ED
  • SHOWBIZ
  • Sport
  • Kendi i Avokatit

© 2023 Maska.al