Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kur Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) reagoi tre ditë pas procesit duke njohur rezultatin dhe ambasadorja Juri Kim shprehu hapur mbështetje për qeverinë, këtë herë heshtja nga Uashingtoni dhe Ambasada Amerikane në Tiranë po interpretohet si sinjal i ftohjes në marrëdhëniet me qeverinë aktuale.
Në zgjedhjet e 11 majit 2025, Ambasada e SHBA në Tiranë ka reaguar vetëm paraprakisht, duke bërë thirrje për zgjedhje të lira, pa frikë dhe pa blerje votash, por pa u shprehur deri tani për ecurinë apo rezultatin e procesit zgjedhor.
Sipas një emaili që gazetari Robert Papa ka pretenduar se ka marrë nga DASH, thuhet:
“Ne jemi të vetëdijshëm për akuzat për parregullësi në ditën e zgjedhjeve. Çdo qytetar duhet të jetë i lirë të ushtrojë votën e tij pa intimidim dhe në përputhje me ligjet shqiptare.”
Ky pozicionim i kujdesshëm tregon se SHBA është në fazën e mbledhjes së të dhënave dhe vlerësimit të procesit, përpara se të japë një qëndrim përfundimtar. Ndërkohë, raporti paraprak i OSBE/ODIHR, i publikuar pas zgjedhjeve, ngre një sërë shqetësimesh për përdorimin e administratës, presione mbi votuesit dhe problematika me listat e hapura.
Burime pranë aktorëve ndërkombëtarë bëjnë të ditur se vendimi për njohjen ose jo të rezultatit mund të vijë vetëm pas analizës së raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR dhe pas verifikimeve të tjera që lidhen me akuzat për parregullsi, intimidim apo përdorim të burimeve shtetërore.
Zërat kritikë në Shqipëri e kanë quajtur procesin një “masakër zgjedhore”, duke akuzuar Partinë Socialiste për përdorim të makinerisë shtetërore dhe presione ndaj votuesve. Nga ana tjetër, vetë PS dhe përfaqësuesit e saj kanë deklaruar se zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme.
Përballë kësaj situate, mbetet e paqartë nëse SHBA do të mbajë një qëndrim të njëjtë si në vitin 2021 apo do të kërkojë një transparencë më të thelluar para se të njohë rezultatin zgjedhor të 2025.