Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, u takua me qytetarë dhe përfaqësues të bizneseve të vogla në zonën e Liqenit të Thatë. Në qendër të bisedave ishte situata ekonomike e vështirë që po përjetojnë shqiptarët dhe sipërmarrjet.
Gjatë takimeve, Tabaku dëgjoi shqetësimet e qytetarëve për rënien e konsumit dhe përballjen me çmime gjithnjë e më të larta. Bizneset nga ana tjetër ngritën alarmin për taksat e rritura dhe kostot e papërballueshme.
Në një nga bizneset e zonës, Tabaku solli në vëmendje një shembull konkret:
“Ti çohesh në mëngjes, sjell produktet nga Kashari dhe paguan naftën më shtrenjtë, nafta 50% i ka taksa. Këtu vijnë produktet 50% më shtrenjtë. Gjithçka më shtrenjtë, konsumi bie dhe taksat rriten.”
Ajo theksoi se problemi qëndron te modeli ekonomik i ndjekur nga mazhoranca socialiste, i cili sipas saj ka çuar drejt një krize të thellë ekonomike dhe një trysnie të papërballueshme për familjet shqiptare.
“Pas 12 vitesh qeverisje socialiste, shqiptarët nuk kanë parë asgjë tjetër përveç varfërisë, krizës ekonomike dhe barrës së rëndë fiskale. Ky është realiteti që jeton çdo familje dhe çdo biznes,” u shpreh Tabaku.