Është arrestuar Fadi Alwan, 49-vjeçari palestinez i cili vrau vajzën e tij 24-vjeçare, Rayan Alwan në Tiranë, rreth 2 muaj më parë.
Arrestimi i Alwan u bë në Liban, pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Pritet ekstradimi i 49-vjeçarit drejt Shqipërisë.
“Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, dhe si rezultat i komunikimit të vazhdueshëm me strukturat homologe në Liban, nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit, u kap në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi palestinez, F. A., 49 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shtetasi F. A., në shkurt 2025, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, Tiranë, ka vrarë me mjet prerës, vajzën e tij, shtetasen R. A..
Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave të Interpolit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri”, njofton policia.
Rayan Alwan dhe Fadi Alwan mbërritën në Shqipëri dy muaj më parë, disa ditë para se 24-vjeçarja të gjendje e pajetë në apartamentin që kishte marrë me qira në Tiranë bashkë me babain e saj.
Rayan kishte konflikte me prindërit e saj të cilët kundërshtonin divorcin e saj me bashkëshortin.
Miqtë e 24-vjeçares kanë deklaruar se prindërit zgjodhën ta sillnin vajzën në Shqipëri e më pas babai të vriste, me pretendimin se ngjarja nuk do të zbardhej.
24-vjeçarja u gjet e vrarë me mjet prerës thikë. Pas ngjarjs, babai i saj u largua drejt Gjermanisë e më pas në Liban ku dhe u arrestua. Trupi i Rayan Alwan u tërhoq para disa ditësh nga morgu, pasi familja refuzonte ta merrte.