Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim dy autorët e vrasjes së 20-vjeçarit Grei Bihuci, pas një sherri që nisi në rrjetet sociale.
Njoftimi i plotë
Vranë shtetasin G.B. pas konfliktit të nisur në rrjetet sociale, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq për ‘Vrasje me paramendim’ dy shtetas, një prej të cilëve i mitur Prokuroria pranë Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit F.M. dhe K.M. për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’, të parashikuara nga nenet 78/1 e 25 dhe 279/2 të Kodit Penal.
Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr. 382 të vitit 2025, rezultoi e provuar se, në datën 11.03.2024, rreth orës 11:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit” të qytetit të Fierit, gjatë një takimi për t’u sqaruar lidhur me një konflikt të ndodhur ditë më parë dhe të publikuar në rrjetet sociale, të pandehurit F.M. dhe K.M., të cilët kanë pasur me vete armë të ftohta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur viktimën G.B., duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi Deklarimin fajtor të të pandehurit F.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 78/1 e 25 të Kodit Penal dënimin e tij me 25 vjet burgim. Si dhe deklarimin fajtor të të miturit në konflikt me ligjin K.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 78/1 e 25 dhe 51 të Kodit Penal dhe 97/2 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, dënimin e tij me 12 vjet dhe 6 muaj burgim.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.