Partia Demokratike tha sot se gjatë procesit të votimit në diasporë kompania postare DHL e kontraktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për shpërndarjen e zarfeve, nuk ka zbatuar kushtet e kontratës.
Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli në një deklaratë për shtyp, duke iu referuar prononcimit të komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashit, se “procesi i votimit nga jashtë është zhvilluar në mënyrë model”, tha se ky i fundit duhet të japë shpjegim se pse zarfet me vota u tërhoqën nëpër “tabachino”.
Vangjeli publikoi disa foto për të cilat tha se “kanë mbërritur në adresën tonë nga qytetarë që jetojnë në Greqi dhe votuan në këtë vend, të cilët deklarojnë se tërhoqën dhe dorëzuan zarfet me fletët e votimit në magazina ku shiten cigare e jo vetë”.
“Ky ishte procesi model sipas Celibashi, ku adresat e qytetarëve janë nëpër “tabachino”, dhe zarfet tërhiqen e dorëzohen në këto ambient. Këto sa i takon votimit në Greqi, ndërkohë akoma nuk kemi një përgjigje përse DHL nuk paraqet provat e dorëzimit të zarfit tek çdo votues në diasporë, në Itali, Shtetet e Bashkuara apo Mbretërinë e Bashkuar”, u shpreh Vangjeli.
Vangjeli shtoi se “Celibashi duhet të jetë me dije se përgjegjësia e KQZ-së fillon me procedurën e prokurimit, zbatimin e saj, lidhjen dhe implementimin e plotë e të suksesshëm të kontratës përfshirë mirëmenaxhimin e fondeve publike”, tha Vangjeli.
“E meqenëse kontrata është ende në fazë zbatimi të marri masat e parashikuara në aktet ligjore dhe në kontratën respektive kundrejt përgjegjësve të dështimit të përmbushjes së detyrimeve kontraktuale”, u shpreh Vangjeli.