Erion Veliaj ka reaguar sërish nga qelia, ku shtron pyetjen se pse është në burg, ndërkohë që në vendimin e gjykatës sqarohet se ai ka kërcënuar me mesazhe oficerët e BKH-së dhe kjo ishte dhe arsyeja pse ndaj tij u vendos masa shtrënguese “Arrest me burg”.
Veliaj në postimin e tij në rrjetet sociale, shkruan se as nuk kishte ndërmend që të largohej nga “përndjekësit”, siç i konsideron kryebashkiaku Ols Dadon dhe Erjon Banin dhe sipas tij, do të mjaftonte vetëm bllokimi i pasaportës.
Ndërkohë, edhe në postimin e sotëm, Veliaj ka mashtruar, këtë herë sa i përket viteve që do dënohet nga Gjykata. Ai shkruan se akuzohet për dy vepra penale, njëra prej të cilave dënohet me 12 vite burgim dhe tjetra me 15 vite burgim dhe sipas tij, në total do ta dënojnë me 27 vite burgim, duke bërë një mbledhje aritmetike.
Në fakt, ky është një mashtrim, pasi sipas Kodit Penal nuk bëhet mbledhje aritmetike e vendimeve. Neni 55 e përcakton qartë se kur një i pandehur akuzohet për disa vepra penale, gjykata jep vendimin për secilin prej tyre dhe në përfundim jep një dënim të vetëm, që përbëhet nga dënimi më i rëndë i shtuar.
Neni 55
Caktimi i dënimeve për disa vepra penale (Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.144, datë 2.5.2013, neni 9)
“Kur veprimet ose mosveprimet përmbajnë elementët e disa veprave penale, si dhe kur personi ka kryer disa vepra penale për të cilat nuk është dhënë akoma vendim, gjykata më parë cakton dënimin për çdo vepër penale dhe në përfundim jep një dënim të vetëm, që përbëhet nga dënimi më i rëndë i shtuar.
Dënimi më i rëndë i shtuar në rastin kur personi ka kryer një krim kundër jetës me dashje, me përdorimin pa leje të armëve luftarake dhe municionit, përbëhet nga shuma e përgjithshme e dënimeve për secilën vepër penale.
Dënimi më i rëndë i shtuar nuk mund të kapërcejë shumën e përgjithshme të dënimeve të caktuara veç e veç, as kufirin më të lartë të parashikuar për llojin e dënimit të dhënë.
Kur gjykata çmon se kryerja e shumë veprave penale nuk tregon rrezikshmëri të madhe të fajtorit, mund të japë si dënim përfundimtar dënimin më të rëndë që ka caktuar për një nga veprat penale.
Gjykata në vendimin përfundimtar jep një ose më shumë nga dënimet plotësuese të dhëna më vete për çdo vepër të veçantë.”
Reagimi i plotë i Erion Veliajt
27 vjet vetmi
Duke qenë se e keqja as nuk agjëron, as nuk pushon, por ushqehet përditë me ligësi dhe mashtrim, lipset që edhe unë, edhe ne, ta luftojmë përditë haramin që na rrethon.
Pasi u procedova me letrën anonime të Nesti Angonit, pasi u shpalla “i dënuar” që në faqe të parë, dhe pasi u parashtruan “krimet” që variojnë nga lodrat e djalit, te fushata në Rrogozhinë e Kavajë, dhe nga statuset e Facebook-ut tek ato në Instagram, lind pyetja: Po në burg pse jam?
Thosh edhe Kafka te “Procesi”, mirë që jam fajtor pa faje e pa fakte, po dënimin pa gjyq pse? Tre janë faktorët që duhet të ketë parasysh Gjykata: rreziku i ikjes, prishja e provave dhe rrezikshmëria shoqërore.
T’i marrim me rradhë: Rreziku i ikjes
Gjyqtari Bani arsyeton se meqë Ols Dado më akuzon për vepra që dënohen me 12 dhe 15 vjet – pra, 27 vite burg – unë do ikja nga Shqipëria. Po, po, ja lexojeni:
“Mund të arrihet në përfundimin logjik ligjor në formën e mundësisë së arsyeshme, mbi mundësinë reale të ikjes nëse nuk ndërhyhet për të caktuar një masë shtrënguese për këtë shtetas”.
Dyshohem nga Ols Dado se kam konsumuar 9 herë veprën penale të “Korrupsionit Pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurëve vendor”, kryer në bashkëpunim, duke filluar që nga viti 2004, në moshën 25 vjeçare, bashkëpunim me persona që as i kam njohur atëherë dhe as kam parashikuar që do i njihja në të ardhmen.
Dyshohem nga Ols Dado se kam kryer më shumë se një herë veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose vemprimtari kriminale”.
E kuptuat? Meqë Olsi do kërkojë 27 plus vite burg, më duhet të burgosem që pa nisur gjyqi fare. Po unë isha në Gjermani në ditën e bastisjes dhe u ktheva menjëherë! Udhëtova edhe 2 herë në SHBA në 30 dhjetor dhe 20 Janar dhe u ktheva sërish. Ku është rreziku? Ku është arratisja? A nuk do mjaftonte masa e mbajtjes së pasaportës, që edhe ikja nga Olsi e Bani të mos cënohej, por edhe unë të vazhdoja punët për Tiranën, që s’duhet ndalur asnjë moment?
Por, siç komentonte Kafka për përndjekësit e tij tek “Procesi”: “Unë as e mendoj të iki nga këta dy përndjekës kaq shembullorë, të cilët më janë qepur pas me kaq zell dhe pasion, sa thuajse më dhimbsen t’i lë vetëm në gjykatë”.
Kjo për rrezikun e ikjes, nesër e pasnesër do të flasim për rrezikshmërinë time të lartë shoqërore.