Gjashtë vite më parë fshehja e së shkuarës “i vulosi” fundin si kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmakut. Por, teksa kanë kaluar vite nga largimi i tij nga posti i kryetarit të Bashkisë së Vorës, post të cilin e mbajti vetëm 3 muaj, ai ka fituar një betejë financiare me institucionet të cilat e larguan nga detyra.
Report Tv njofton se më 4 prill të vitit 2025, Gjykata Administrative e Tiranës, vendosi që të quajë të padrejtë vendimin e KQZ-së dhe të dëmshpërbleje Kajmakun.
Si rrjedhojë vetë Bashkia e Vorës dhe Këshilli i Qarkut Tiranë, i detyrohen Kajmakut një shumë monetare ku do të përfshihen të gjitha pagat e një mandati të plotë 4-vjeçar.
Nga ana tjetër, KQZ detyrohet të paguajë Kajmakun, gruan dhe djalin e tij për dëmin moral që ju ka shkaktuar. Përafërsisht 15 mijë euro për ish-kryetarin dhe nga 7 mijë euro për gruan dhe të birin e tij. Pas këtij vendimi të Gjykatës, KQZ dhe Bashkia Vorë e ankimuan në Gjykatën e Apelit ku dhe do të vazhdojnë “betejën” ligjore.
Agim Kajmaku u shkarkua në nëntor të vitit 2019 pasi nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit arrestimin e tij në Greqi. Ishte Partia Demokratike e cila asokohe publikoi dokumentat të cilat hodhën dritë mbi të kaluarën e Kajmakut.
Ai rezultoi se ishte arrestuar në Greqi nën akuzën e falsifikimit të parave, por nën një emër tjetër. Fillimisht, ish-kryebashkiaku i Vorës i mohoi akuzat, por kur shenjat e gishtërinjve vërtetuan se bëhej fjalë për të njëjtin person, ai dorëzoi vendimin e Gjykatës së Janinës e cila e kishte shpallur në pafajshëm.
Më pas KQZ vendosi që ta shkarkonte atë nga detyra e kryetarit të Bashkisë Vorë, post të cilin e mbajti për vetëm 3 muaj.
Por, “punët” e Kajmakut me drejtësinë nuk kanë ndalur këtu. Në maj të vitit 2020 ai u prangos pasi Prokuroria e Tiranës e kishte shpallur në kërkim prej muajit nëntor 2019 për “shpërdorim detyre”, “falsifikim të formularëve”, si dhe një akuzë të tretë për “kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij”.
Por, gjykata e liroi pas dy ditësh duke përdorur si argument ndër të tjera edhe gjendjen e tij shëndetësore dhe caktoi masën e sigurimit personal “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë, ai u prangos sërish në maj të 2022, por kësaj here nga policia italiane, nën dyshimet për trafik droge. Kajmaku dhe nipi i tij asokohe u akuzuan për kokainën e gjetur për 20 kg drogë në vazot me lule në biznesin e tij në zonën e San Benedetto del Tronto.
Ai më pas u la i lirë një vit më vonë, pasi mori pafajësinë nga Gjykata e Fermos së bashku me nipin e tij. Që prej fillimit ata mohuan faktin se ishin të përfshirë në kokainën që u gjet në biznesin e tyre në Itali.