Një ngjarje tragjike ka tronditur sot skuadrën e Leçes, pjesë e të cilës janë futbollistët e Kombëtares shqiptare Ylber Ramadani dhe Medon Berisha. Sot është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur fizioterapisti i skuadrës, Graciano Fiorita.
Skuadra ishte e grumbulluar për ndeshjen që duhej të luhej nesër ndaj Atalantës por 47-vjeçari Fiorita ka tronditur ekipin pasi është gjetur pa jetë këtë mëngjes në dhomën e tij të hotelit në Breshia ku gjendej ekipi. Mes kaosit dhe tronditjes, klubi i Leçes ka bërë kërkesë për shtyrjen e ndeshjes, e cila është miratuar nga Federata Italiane, duke e programuar për të dielën në darkë.
Fiorita ishte prej dy dekadash pjesë e klubit të Leçes dhe një figurë shumë e dashur brenda skuadrës. Lojtarët dhe pjesa tjetër e stafit ishte çuditur kur nuk e kishte pikasur në mbledhjen e zakonshme të mëngjesit dhe pas disa telefonatash pa përgjigje, kishin hapur me forcë derën e dhomës duke e gjetur pa jetë atë. Pritet autopsia për të zbuluar shkaqet e vdekjes.