Situata është tensionuar pranë selisë së Partisë Socialiste, ku protestuesit kanë goditur me gurë godinën, duke thyer xhamat e derës dhe të ambienteve të saj.
Në kulmin e tensionit, nga selia rozë raportohet se kanë dalë disa persona të maskuar dhe të pajisur me hunj, të cilët janë drejtuar me vrap drejt protestuesve dhe gazetarëve të pranishëm në zonë. Sipas raportimit të gazetarit Edison Vatmilkaj, i cili ndodhet pranë selisë së PS-së, personat e dyshuar mund të jenë punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT).
Ndërkohë, pavarësisht situatës së krijuar, forcat e policisë që ndodheshin pranë zonës nuk ndërhynë menjëherë. Pak çaste më vonë, efektivët përdorën gaz lotsjellës në përpjekje për të shpërndarë turmën dhe për të vënë situatën nën kontroll.
Përplasjet vijnë në një moment kur protesta në kryeqytet vijon me pjesëmarrje të lartë, pavarësisht episodeve të dhunshme të regjistruara gjatë ditëve të fundit. Pamjet e protestës së mëparshme, ku pati konfrontime të forta mes qytetarëve dhe policisë, nuk duket se kanë ndikuar në pjesëmarrjen e protestuesve, të cilët kanë vijuar të dalin në rrugë.
Ndërkohë, masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm. Që në orët e mëngjesit, në bulevard janë hequr pllakat e gurit nga trotuaret, me qëllim parandalimin e përdorimit të tyre gjatë përplasjeve të mundshme.
Zhvillimet pranë selisë së Partisë Socialiste kanë shtuar tensionet e protestës, ndërsa mbetet për t’u parë nëse situata do të përshkallëzohet më tej dhe nëse do të ketë reagime zyrtare lidhur me personat e maskuar dhe incidentet e raportuara.







