Nga Etleva Merko
Në një kohë kur teknologjia ka pushtuar çdo aspekt të jetës sonë, fëmijët përbëjnë grupin më të ndjeshëm dhe më të pambrojtur ndaj pasojave të saj.Me orë të tëra të kaluara para ekranit, ata humbasin mundësinë për të zhvilluar kreativitetin, për të ndërtuar aftësi sociale dhe për të shijuar fëmijërinë ashtu siç duhet përmes lojës, leximit dhe ndërveprimit të drejtpërdrejtë me botën reale dhe të prekshme.
Sipas UNICEF një % e konsiderueshme e fëmijëve të moshës 8–17 vjeç përdorin pajisje elektronike për më shumë se 3 orë në ditë.
Kjo mbingarkesë me informacion dhe stimuj digjitalë ndikon negativisht në përqendrimin, gjumin dhe sjelljen e tyre. Përdorimi i tepërt i telefonit ka lidhje të drejtpërdrejtë me rritjen e niveleve të ankthit, depresionit dhe izolimit social.
Fëmijët po largohen çdo ditë nga librat, nga loja në natyrë, nga bisedat e gjalla me prindërit apo bashkëmoshatarët. Në vend të leximit të një historie të përshtatshme për moshën e tyre, që ushqen imagjinatën dhe i ndihmon të njohin botën, ata po konsumojnë përmbajtje të pakontrolluar, shpeshherë jo të përshtatshme dhe me ndikim të dëmshëm në formimin e tyre emocional.
Telefoni nuk e zëvendëson dashurinë, përqafimin dhe bisedën me fëmijën tuaj. Ai nuk mëson ndjenjat dhe empatinë. Këto i mësojnë nga ju prindër të dashur.
Leximi i librave është një nga dhuratat më të çmuara që mund t’u bëjmë fëmijëve. Ai ndihmon në zhvillimin e mendimit kritik, imagjinatës dhe ndjeshmërisë. Zgjidhni libra të përshtatshëm për moshën e tyre, lexoni bashkë me ta dhe ktheni çdo pasdite në një udhëtim të vogël letrar.
Fëmijët kanë më shumë nevojë për kohën tuaj sesa për çdo objekt material. Koha që kaloni me ta është investimi më i vyer për të ardhmen e tyre dhe tuajën.
Kushtojuni kohën dhe vëmendjen e duhur.
Sepse prania juaj është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.