SPAK ka përfunduar hetimet ndaj kandidates së PS për deputete në qarkun e Fierit Zegjine Çaushi, dhe ka dalë në konkluzionin se nuk jemi përpara veprës penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”, por mund të jeni përpara rastit të konsumimit të 3 veprave të tjera penale që janë në kompetencë të Prokurorisë së Fierit.
Konkretisht bëhet fjalë për dyshimet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Për këtë arsye, SPAK ka vendosur që të mos regjistrojë procedim penal për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, dhe ti kalojë dosjen Prokurorisë së Fierit që të kryejë veprime hetimore procedurale për këto 3 vepra penale të tjera.
Hetimet e SPAK kanë të bëjnë me një audiopërgjim të publikuar në emisionin Piranjat, ku kandidatja e PS Zegjine Çaushi shfaqet duke kërcënuar një qytetar që t’i shërbente shefes së saj në zgjedhjet e vitit 2021, ose nëse ajo do të zbatonte ligjin do të përfundonte në burg.
Bëhet fjalë për një video të 14 Maj 2023. Zegjine Çaushi mbante postin e kryeinspektores së IVMT të bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi.
Në një sekuencë të videos, duket që është biseda telefonike e regjistruar midis Gazmend Borgjit dhe Zegjine Çaushit.
Zegjine Çaushi: “…degjoje atë, se i thonë 5 mln lekë minimalisht gjobën, dhe vete bën nja dy vjet burg, akoma nuk kupton ti tani, për zotin ti do vesh në burg ore..”
Por Zegjineja nuk është një emër i panjohur për banorët e zonës: më herët është përfshirë në një incident me banorët e Kurjanit që u kallëzuan në polici pasi tentuan të rregullonin rrugën me shpenzimet e tyre.
Pak ditë më parë Zegjine Çaushi u kallëzua në KQZ nga Qëndresa Qytezate për përdorim të aseteve shtetërore në fushatë.