Detaje të reja janë zbardhur nga shpërthimi me tritol në fshatin Derven të Krujës gjatë orëve të para të ditës sotme.
Mësohet se lënda plasëse i është vënë dyqanit në pronësi të 30-vjeçarit Donald Luka. Dyqani përdorej për përpunim dhe shitje mishi. Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që grupi hetimor po punon për të identifikuar autorin/rët.
“Rreth orës 02:15, në aksin rrugor “Fushë Krujë-Derven, në hyrjen e dyqanit në përdorim nga shtetasi D. L., rreth 30 vjeç, ka shpërthyer një sasi e vogël dyshohet lëndë plasesë, duke shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor së bashku me shërbimet e Policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të rastit dhe identifikimin/kapjen e autorit”, njofton policia.
Donald Luka në vitin 2022 dhe vëllai i tij Ernest Luka kanë dhunuar në mënyrë brutale kuzhinierin Indrit Çela për një parakalim të gabuar.
Kujtojmë se në atë kohë, Donald Luka u shpall në kërkim, ndërsa Ernest Luka u arrestua nga policia dhe mësohet se ka pranuar autorësinë, duke deklaruar se shkak është bërë një konflikt i hapur, mes Çelës, kunatit të tij dhe dy vëllezërve. Në atë kohë, u arrestua edhe babai i tyre Llesh Luka pasi pas një kontrolli në banesën e tyre policia gjeti të instaluar një shtëpi bari.
“Po e pranoj. Unë dhe im vëlla e rrahëm Indritin. E rrahëm se kishin një konflikt të hapur me të dhe me kunatin e tij, me të cilin disa muaj më parë u përplasëm fizikisht për shkak të një parakalimi makine.
Sapo e pamë se Indriti ishte duke lëvizur me makinë, iu afruam dhe i bllokuam rrugën dhe më pas e rrahëm. Për fatin e tij të mirë ndërhynë disa udhëtarë të tjerë që u ndodhën në ato momente në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar ai për policisë në atë kohë.
Kuzhinieri Çela u rrah brutalisht me leva hekuri më datë 19 mars, teksa po lëvizte me makinën e tij së bashku me bashkëshorten, pranë Fushë Krujës.