Nga Etleva Merko
Samiti i Diasporës nga qeveria Rama na u paraqit sikur diaspora është vlerësuar dhe dëgjuar, por e vërteta qëndron ndryshe, pasi pikërisht keqqeverisja mbetet një nga faktorët kryesorë të largimit të tyre. Në pamje të parë, duket sikur po tentohet të na bindin se ky samit është një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe bijve të saj nëpër botë. Por, përtej skenës, fjalimeve dhe fotografive zyrtare, lind një pyetje e thjeshtë: a prodhon ky samit vendime konkrete për diasporën, apo mbetet thjesht një trofe politik në duart e qeverisë?
Realiteti është se, për shumë pjesëmarrës dhe për vetë diasporën në tërësi, ndjesia që mbizotëron është ajo e përfshirjes formale, jo reale. Diaspora ftohet, dëgjohet dhe duartrokitet, por rrallëherë përfshihet në vendimmarrje konkrete. Shpesh ajo trajtohet më shumë si një aset simbolik një numër i madh votash potenciale sesa si një partner strategjik me zë dhe peshë.
Në çdo samit flitet për investime dhe për kontribut në zhvillimin e vendit. Por sa nga këto ide kthehen në politika konkrete? Sa lehtësohen procedurat për ata që duan të investojnë? Sa mbështeten profesionistët e diasporës për t’u integruar në projekte zhvillimore? Përgjigjet, fatkeqësisht, i dimë të gjithë…
Një nga çështjet më të ndjeshme është ajo e përfaqësimit. Diaspora përmendet shpesh në prag zgjedhjesh si një faktor i rëndësishëm elektoral, por më pas mbetet në periferi të vendimmarrjes. Kjo krijon perceptimin jo pa arsye se shqiptarët jashtë vendit trajtohen më shumë si numra në kuti votimi, sesa si qytetarë me të drejta dhe kontribute reale.
Në fund, vlera e një samiti nuk matet me numrin e pjesëmarrësve apo me madhështinë e organizimit, por me ndikimin real që ka në jetën e atyre që pretendon të përfaqësojë. Dhe derisa diaspora të ndiejë se zëri i saj jo vetëm dëgjohet, por edhe përkthehet në vendime konkrete, skepticizmi do të vazhdojë të jetë i pranishëm.
Sepse diaspora nuk është thjesht statistikë. Është kapital njerëzor, ekonomik dhe intelektual që kërkon respekt, përfshirje dhe, mbi të gjitha, seriozitet.








