Këshilli i Ministrave ka vendosur sot shkarkimin nga detyra të kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, z. Eol Çashku. Vendimi është firmosur nga Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, në mungesë dhe me porosi të Kryeministrit Edi Rama, dhe është bërë i ditur përmes botimit në “Fletoren Zyrtare”.
Vendimi është marrë në mbështetje të pikës 2 të nenit 100 të Kushtetutës, si dhe të nenit 7 të ligjit nr. 8096, datë 21.3.1996, “Për kinematografinë”, të ndryshuar, pas propozimit të bërë nga Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Në vendim thuhet:
V E N D O S I:
Z. Eol Çashku shkarkohet nga detyra e kryetarit të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.
Eol Çashku ka qenë një nga figurat më të njohura në fushën e kinemasë shqiptare, si regjisor dhe drejtues institucional, duke drejtuar për vite me radhë QKK-në dhe duke pasur rol kyç në mbështetjen e prodhimeve filmike shqiptare. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk janë dhënë detaje për arsyet e shkarkimit të tij.