Kreu i SPAK, Altin Dumani ka deklaruar se askush nuk duhet t’i trembet strukturave të posaçme që do të ngrihen për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Kjo deklaratë e Dumanit vjen pas reagimit që bëri kryeministri Rama, i cili tha se duhej të ishte lajthitje fakti që SPAK do të kontrollojë aktivitetin e partive politike gjatë zgjedhjeve.
Dumani u shpreh se survejimi është detyrim kushtetues e ligjor e për këtë arsye askush nuk duhet të ketë frikë.
“Askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë është në përmbushje të detyrimeve ligjore e kushtetuese, e askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë që është në përmbushje të detyrave të tij.
Ne jemi institucioni i ndjekjes penale dhe është detyrimi kushtetues dhe ligjor që sa herë para nesh paraqitet një rast për tu trajtuar, një fakt penal, ne jemi të detyruar të ushtrojmë ndjekjen penale dhe të bëjmë të gjitha verifikimet e nevojshme në funksion të ngritjes së një akuze të suksesshme.
Ky është detyrim kushtetues dhe ligjor, por patjetër askush nuk duhet të ketë frikë, të vazhdojë me normalitetin e tyre të përditshëm sa kohë nuk janë në shkelje të ligjit”, deklaroi Dumani.