Pazari i kryeministrit Edi Rama me mafiozin e njohur Ylli Ujka nga Lezha ka hyrë në një fazë të re. Këtë herë, në shënjestër të planit ndërtimor dhe të grabitjes së pronës publike është vendosur një nga perlat natyrore të jugut: zona e liqenit të Viroit në Gjirokastër, një park natyror i mbrojtur, me vlera të jashtëzakonshme ekologjike, peizazhore dhe turistike.
Sipas burimeve të sigurta të “Pamfletit”, menjëherë pas zgjedhjeve të 11 majit, Edi Rama ka urdhëruar Agjencinë e Zhvillimit të Territorit dhe Ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, njëkohësisht deputete e Gjirokastrës, që të nisin procedurat për dhënien e një sipërfaqeje të madhe të këtij parku për ndërtim resorti.
Në të njëjtën kohë, në Ministrinë e Mjedisit dhe në Agjencinë e Zhvillimit të Territorit ka mbërritur aplikimi i kompanisë “X One Sh.p.k”, me seli në Lezhë, për të ndërtuar një kompleks me vila dhe njësi shërbimi në 40 mijë metra katrorë tokë publike, buzë liqenit të Viroit. Procedurat janë të përshpejtuara dhe kanë marrë urdhër miratimi nga Komiteti i Investimeve Strategjike, që drejtohet personalisht nga Edi Rama dhe përbëhet nga katër ministra të kabinetit.
Por kush është kompania që kërkon të ndërtojë në një zonë të mbrojtur?
“X One Sh.p.k” është krijuar më 21 maj 2021 nga Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, me kapital simbolik prej 10 mijë euro dhe pronësi të ndarë 50/50. Më 23 shkurt 2024, ata shesin 26% të aksioneve për vetëm 2600 euro tek Ilir Trebicka, një personazh i njohur për lidhjet e ngushta me Edi Ramën dhe për përfitimin e dhjetëra pasurive publike falas, përfshirë leje ndërtimi për kulla e resorte buzë detit.
Pas kësaj marrëveshjeje, Ylli Ujka futet zyrtarisht në klanin e kryeministrit, ndërsa “X One” merr statusin e kompanisë së preferuar të qeverisë. Kjo nuk është thjesht një bashkëpunim biznesi, është një skemë e ndërtuar me qëllim për të legalizuar grabitjen e pronës publike përmes një ortaku të besuar të Ramës, në këmbim të ndarjes së përfitimeve.
Dy fakte e vërtetojnë qartë këtë lidhje:
1. Më 23 korrik 2024, vetëm pesë muaj pas përfshirjes së Ilir Trebickës, Edi Rama i dhuron kompanisë “X One Sh.p.k” 137 hektarë tokë shtetërore në zonën Baqël-Kodhel të Lezhës, për ndërtim ferme dhe resorti me status “Investitor Strategjik”.
2. Në nëntor 2024, Rama jep një tjetër leje ndërtimi për kompaninë tjetër të Ylli Ujkës dhe Ilir Trebickës, “Grand Park Skyline”, për ndërtimin e tre kullave gjigande mbi 147 mijë metra katrorë tokë shtetërore, pranë hyrjes së Gardës së Republikës në Tiranë.
Tani, e njëjta skemë po aplikohet në Gjirokastër. Kompania “X One Sh.p.k” është në prag të përfitimit të 40 mijë metra katrorë në zonën e parkut të liqenit të Viroit, një ndër ambientet më të virgjëra dhe më të ndjeshme ekologjikisht në jug të vendit. Ky akt përbën një shkelje flagrante të ligjit për mbrojtjen e zonave të mbrojtura, ndërkohë që ka heshtje totale nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura.
Përveç pasurive të dhëna në letër, Ylli Ujka ka shërbyer edhe si financues i fushatës elektorale të PS-së dhe i strukturave të saj në diasporë, nëpërmjet dy kompanive të tij jashtë Shqipërisë: “Cambria Marketing Srl” dhe “1001 Solutions”.
Sipas të dhënave të siguruara nga “Pamfleti”, këto kompani kanë qenë kanalet e financimit të aktiviteteve dhe propagandës së Ramës jashtë vendit, një veprim që përbën krim elektoral dhe financim të paligjshëm të partive, por që SPAK vazhdon të mos e hetojë.
Në të gjitha këto transaksione dhe vendime shtetërore, nga Lezha, në Tiranë e deri në Gjirokastër, skema është një: kompani me ortakëri të kontrolluar nga klientë të Ramës, të cilëve u jepen prona shtetërore falas, në këmbim të besnikërisë politike dhe bashkëpunimit elektoral. Nëse kjo quhet “zhvillim strategjik”, atëherë çdo mafioz i lidhur me pushtetin mund të ndërtojë kudo, mbi çdo park, liqen, kodër apo monument, për sa kohë është i gatshëm të ndajë pjesën me Bablokun.
/Pamfleti/