Disa dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit dhe një automjet i zjarrfikëses është stacionuar brenda rrethimit të Parlamentit, godinës ku zhvillohen seancat plenare.
Parlamenti është një nga institucionet ku mund të ketë një dyndje të protestuesve, që mund të lëvizin në rrugët e Tiranës, pasi të jenë mbledhur përpara godinës së Kryeministrisë.
Pas godinës së Ministrisë së Brendshme është instaluar një nga automjetet e blinduara që zakonisht përdoret për hedhjen e ujit me presion në rast të akteve të dhunës nga protestuesit. Dhe gjithashtu efektivë të rendit po pozicionohen sipas një plani masash të paracaktuar.
Po kështu, një tjetër objekt që do të merret në mbrojtje është Bashkia e Tiranës. Gjithashtu kjo e fundit, krahas disa barrierave metalike që vendosen sa herë protestohet, do të jetë në vëmendjen e efektivëve të Policisë së Shtetit, ashtu si edhe të tjera institucione dhe godina qeveritare.