Policia ka vendosur një kordon në rrugën që të çon drejt Kuvendit të Shqipërisë, pranë Xhamisë së Namazgjasë, duke penguar kalimin e disa protestuesve që kërkojnë t’u bashkohen studentëve të mbledhur para institucionit.
Mes personave të ndaluar nga forcat e policisë janë edhe pedagogë, të cilët më herët ishin mbledhur pranë Universitetit Politeknik të Tiranës. Ata kërkojnë të kalojnë drejt Kuvendit për të shprehur mbështetjen e tyre për studentët që po protestojnë.
Gjatë përplasjes verbale me efektivët e policisë, një prej pedagogëve ka shprehur pakënaqësinë për ndalimin e tyre, duke theksuar se qëllimi i tyre është të mbështesin studentët dhe jo të përballen me forcat e rendit.
Pedagogu u shpreh gjithashtu se edhe punonjësit e policisë përballen me vështirësi ekonomike dhe se, sipas tij, shqetësimet e tyre janë të përbashkëta. Ai kritikoi mënyrën se si po trajtohen protestuesit dhe kundërshtoi pretendimin se ata mund të përbëjnë kërcënim për Kuvendin.
“Po luftojmë dhe për këta ne. Edhe për jetën e këtyre”, u shpreh pedagogu, duke iu drejtuar efektivëve të policisë.
Ndërsa situata vijon të jetë e tensionuar pranë Kuvendit, pedagogët kërkojnë të kalojnë kordonin policor për t’iu bashkuar studentëve që janë mbledhur para Parlamentit.







