Teksa Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një komision parlamentar për masat që duhet tē merren për të frenuar ndikimin rus, në fund të muajt maj 2023, rizgjedhja e Bledar Shellës në krye të Shoqatës Shqiptare të Bankave, kaloi si një lajm rutinë.

Bledar Shella është drejtori i përgjithshëm i Bankës OTP Albania, një lavatriçe pastrimi parash, pas të cilës qëndron oligarku rus Megdet Rahimkulov, një nga njerëzit më të besuar të Vladimir Putin, me lidhje të hershme dhe të forta me KGB, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Teksa qeveria e Tiranës ka ‘ulur brekët’ përballë nevojës për para dhe Shërbimi Informativ Shtetëror duket në gjumë, nuk është rastësi që Bledar Shella, i besuari i oligarkut rus në krye të OTP Bank, të rikonfirmohej në krye të Shoqatës së Bankave në Shqipëri.

Bledar Shella është mëkëmbësi i oligarkut rus Megdet Rahimkulov, pjesë e listë së zezë së SHBA, si një personazh i rrethit të Vladimir Putin, që shtrin tentakulat dhe zbaton politikat e Putinit për të ndërhyrë dhe trazuar vendet pro Perëndimit, si një personazh që ka menaxhuat asetet e KGB-së etj.
Përmes OTP dhe mëkëmbësit Bledar Shella, shërbimet ruse kanë depërtuar dhe kanë akses në institucione publike dhe kompani private, në llogaritë e mijëra shqiptarëve.
Përmes OTP me drejtor Shellën, shërbimet ruse kanë rekruar dhe paguajnë me rroga të majme familjarë të politikanëve shqiptarë, të zyrtarëve të lartë, të ish ministrave, ish deputetëve etj.
Oligarku rus bleu për 55 milionë euro, 100 për qind të aksioneve të bankës greke Alpha Bank, e cila më pas u shkri me OTP Bank.
Rrethi i oligarkëve të Putinit kontrollin edhe One Albania, Kredo.al, Iute Credit etj.
Si e blenë rusët Bankën Popullore
OTP Albania është transformimi i Bankës Popullore, e cila në vitin 2010 ndryshoi emrin në Banka Societe Generale Albania. Aksionerë ishin një grup biznesmenësh shqiptarë.
Në mars të vitit 2019 u shfaq kompania OTP Bank Nyrt e grupit hungarez, duke blerë bankën Societe Generale Albania, e cila më pas ndryshoi emër në OTP Bank Albania.
OTP Bank Nyrt, pronarja e OTP-Albania zotërohet nga kompanitë Hungarian Oil and Gas Company Ltd (MOL); Kafijat Ltd; OPUS Securities SA dhe Gopama Gan Vie SA.
Oligarku rus Megdet Rahimkulov është pronari i kompanisë “Kafijat Ltd”, e cila është aksionerja e dytë e “OTP-Albania”.
Por, raportime mediatike rajonale, e lidhin Rahimkulovin edhe me kompaninë “MOL”, aksioneren kryesore të bankës “OTP-Albania”.
Portali informativ “linx.crji.org”, në një artikull të 30 Gushtit 2018, me titull “MOL dhe OTP, Kukullat Matrioshka Hungareze”, shkruan se “MOL Group”…është një tjetër kompani, në të cilën ndërthuren interesat ruse dhe të oligarkut Rahimkulov”.
Për të forcuar këto lidhje, portali i rikthehet ngjarjeve të zhvilluara në mesin e viteve ’90. Në atë kohë, kompania shtetërore ruse e naftës “Gazprom” u bashkua me “MOL Group” dhe krijuan “Pan-rus-gas”. Miliarderi Megdet Rahimkulov zotëronte 10% të “Pan-rus-gaz” dhe u emërua Drejtor Ekzekutiv i saj.
Në një tjetër zhvillim biznesi, “Gazprom” bleu “Altalanos ErtekForglami Bank” (AEB), e cila ishte në pronësi të Rahimkulov. Më pas, miliarderi rus e ribleu këtë bankë nga “Gazprom” dhe ua shiti personave të tjerë. Për një periudhë të shkurtër kohore, Rahimkulov ishte përfaqësuesi i “Gazprom” në Budapest.
Gjithnjë sipas portalit “linx.crji”, në vitin 2007, media hungareze raportoi se Rahimkulov, paratë e fituara nga shitja e bankës “AEB”, i investoi në blerjen e aksioneve të kompanisë hungareze të Naftës dhe Gazit- “MOL”, e cila kontrollohet në pjesën më të madhe nga Shtetit Hungarez. Po ashtu, ai bleu edhe aksione të “OTP-Bank Nyrt”, e cila gjithashtu ka aksione tek “MOL”.
Agjencia “linx.crji” citohet të raportojë se “Po në vitin 2007, grupi hungarez i studimeve gjeopolitike, “Stratfor George Friedman” siguroi një e-mail të brendshëm, të marrë nga burime diplomatike, ku flitej për interesat ruse tek Kompania Hungareze e Naftës dhe e Gazit- “MOL”.
Ky e-mail, sipas agjencisë “linx.crji”, u bë publik në atë që quhet “Wiki-leaks”. “Pjesa më e madhe e aksioneve të MOL është në duart e rusëve”, thanë burimet diplomatike për “Stratfor George Friedman”, shkruan kjo agjenci.
“Ne mund të themi se interesat ruse kanë arritur në nivelin e 50%. MOL ishte goditja e parë e Rusisë, e dyta do të jetë OTP, banka më e madhe në Hungari”, shkruanin në atë dokument burimet diplomatike, në vitin 2007, cituar nga “linx.crji”.
OTP mashtroi klientët me karta krediti të skaduara
Banka OTP Albania, e cila është pjesë e OTP Bank Nyrt të Hungarisë që përfaqësohet nga Tibor Kovacs, është përfshirë në një mashtrim me pasoja të rënda. Kovacs nuk ka ardhur kurrë në Shqipëri, por drejton “bijën” shqiptare nëpërmjet një prokure që i ka lënë Sonila Shkodranit. OTP njihet edhe si banka e Putinit, për shkak se kontrollohet nga oligarkët pranë Putinit, pjesë e listës së zezë të SHBA-ve.
Banka e Shqipërisë ka gjobitur në qershor të këtij viti “OTP Alnania”. Vendimi për gjobitje është publikuar në Buletinin Zyrtar nr. 26 të BSH-së.

Vjedhjen skandaloze që ka bërë OTP Albania, BSH e “zbuloi” me vonesë dhe mori masa “ledhatuese” duke e gjobitur me 8 milionë lekë të vjetra dhe një paralajmërim për dy “punonjës” hungarezë, dhe nuk preku drejtorin ekzekutiv të bankës, Bledar Shella.
Vendimi hedh dritë mbi një skandal që mund të ndodhë vetëm në Shqipëri:
“Kartat e kreditit të klientëve të ish-Bankës Alpha, pas ndryshimit të procesorit të kartave dhe bashkimit me përthithje, rezultojnë se janë hapur në formën e overdraft-it me datë hapje gusht 2023 dhe me balancë debitore që përbëhet nga komisione të disa viteve të shkuara, për të cilat klienti nuk ka qenë në dijeni dhe nuk janë raportuar si detyrim nga ish-Banka Alpha. Këtu përfshihen edhe karta krediti të mbyllura, me status “5” në Regjistrin e Kredive, si dhe karta të skaduara. Këtyre klientëve u janë ngarkuar në vijim komisione të tjera shtesë (vjetore) nga sistemi i Bankës OTP.”

Pra, OTP pa njoftuar klientët u ka hapur atyre overdrafte, duke u sjellë sikur ata kanë firmosur kredi. Më pas i ka kthyer në debitorë, meqenëse nuk kanë paguar rregullisht overdraftet! E gjithë vjedhja kamuflohet si një ngatërresë teknike që ka ndodhur në procesin tranzitor kur janë bashkuar dy bankat në një, Alpha me OTP.
“Migrimi i të dhënave nga sistemet e mëparshme Flexcube dhe Delta në një sistem të vetëm, është kryer duke u bazuar në hartëzim të gabuar të disa prej llogarive. Për rrjedhojë, balancat e tyre, në sistemin e ri, nuk janë alokuar në llogaritë e duhura.”
Nëpër rreshtat e vendimit dallohet thellësia e skandalit.
“Mungesa (vonesa) e rikonsilimit edhe me CKB-në (procesorin e kartave), ka rezultuar në vlera të konsiderueshme në llogaritë pezull në bilancin e bankës.”
Skandali në OTP është i një niveli të rëndë shkeljeje ku përfshihet mashtrimi dhe vjedhja e klientëve, të cilëve nuk i dihet numri. OTP pranon se nuk ishte në gjendje të siguronte informacion të plotë se si janë formuar “llogaritë pezull” që kanë krijuar një bilanc mashtrues për BSH-në dhe organet tatimore. Kjo del edhe në vendim:
“Mosparaqitja e saktë e gjendjes financiare të bankës në pasqyrat e saj financiare përbën shkelje të ligjit.”
Çfarë do të ndodhte me një kompani apo biznes që nuk do të paraqiste “saktë” bilancet para organeve tatimore? Sigurisht që nuk do të gjobitej me 0.7 milionë lekë.
BSH nuk ka zbatuar masa të rënda ndaj “administratorëve të OTP-së,” por ka vendosur gjobën dhe vërejtjen te dy “punonjës” hungarezë, pa prekur CEO-n Bledar Shella, i cili mban edhe pozicionin e drejtuesit të AAB (Shoqata Shqiptare e Bankave), si garanci e sektit mafioz në Bankën e Shqipërisë, me në krye Guvernatorin Sejko.
Skandali me OTP-në nuk u prek nga asnjë media, BSH heshti dhe nuk e komentoi, sikur ky është një normalitet në aktivitetin e bankave. Numri i klientëve të mashtruar nuk del. Sa janë?
Madje, duke fshehur skandalin “OTP”, BSH u përpoq të kamuflonte situatën pasi njoftoi disa media se pezulloi po këtë qershor licencat e 2 mikrokredive ‘Rrushkull One’ dhe ‘Perlat’. BSH gënjeu sepse si ‘Perlat’ (NUIS K81826503V) ashtu dhe Rrushkull One (NUIS L91716507C) janë shoqëri të kursim-kreditit, dhe jo institucione mikrokredie, si ato që bënë dhe po bëjnë namin mbi popullatën.
Shoqëritë e kursim-kreditit japin kredi me ose pa interes vetëm për anëtarët e kufizur të anëtarësuar në shoqëri, duke u kujdesur për kthimin korrekt të tyre më pas.
Para viteve ’90, në komunizëm, kjo mënyrë financimi quhej “llotari” dhe përdorej në grupe të caktuara individësh që njiheshin dhe kishin besim te njëri-tjetri si edhe te organizatori i llotarisë.
Banka e Shqipërisë, me skandalin e OTP-së tregoi përfundimisht se është një organizatë e pavarur që nuk mbikëqyr dhe as nuk garanton depozitat e qytetarëve shqiptarë, por është kthyer, pas skandalit të mikrokredive dhe këtij të fundit me OTP-në, në një gjiriz ku fshihet abuzimi dhe korrupsioni më i madh në sistemin financiar shqiptar.
Guvernatori i BSH, stafi drejtues i saj, CEO i OTP që është njëkohësisht edhe kryetar i Bordit Mbikëqyrës së 11 bankave të nivelit të dytë që kanë mbetur në në tregun bankar ka ardhur koha të vendosen në lupën e drejtësisë para se bankat të kthehen në histori të njëjta me ato të Micro Credit Albania, Final, Lendal apo AGROKREDIT.