Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në një takim me banorët e Elbasanit, ka mbajtur një qëndrim të fortë ndaj përpjekjeve për të ndikuar procesin zgjedhor nga elementë të lidhur me krimin dhe pushtetin.
Duke iu drejtuar qytetarëve të pranishëm, Noka deklaroi se më 11 maj Elbasani do të ngrihet për t’i dhënë një leksion të merituar “barbarëve të pushtetit” dhe për t’i treguar çdo përfaqësuesi të strukturave kriminale se qyteti nuk është dhe nuk do të jetë kurrë peng i dhunës, frikës dhe bandave.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai lëshoi akuza ndaj Suel Çelës, të cilin e cilësoi si “kryebandit” dhe e akuzoi për përpjekje të hapura për të ndërhyrë në zgjedhje, përmes presionit ndaj komisionerëve dhe përkrahjes së një “kufome politike”.
Sipas Nokës, çdo tentativë për të trembur apo manipuluar përfaqësuesit e opozitës përbën jo vetëm një shkelje ligjore, por edhe një krim moral ndaj demokracisë.
“Është një shumicë e cila mezi po pret datën 11 maj, për t’i dhënë një leksion barbarëve të pushtetit, për t’i dhënë një mesazh kusarëve të pushtetit, për t’i dhënë një mesazh edhe kryebanditit Suel Çela se Elbasani nuk mbahet me dhunë, se Elbasani nuk mbahet me banda dhe për t’i thënë: Larg duart nga demokratët. Larg duart Suel, se nuk do të ketë qeli të errët që do të mbajë ty.
Ta harrosh ti se mund të kërcënosh demokratët. Mos tento të telefonosh as komisionerë dhe as demokratë sepse je duke bërë një krim më të shëmtuar se krimet që ke bërë. Partia Demokratike nuk do të ta falë atë që po bën.
Je duke mbështetur një të “vdekur politik”. Je duke mbështetut një “kufomë politike” ndaj po të them se Edi Rama, është në agoninë e tij politike. Do të vazhdosh edhe ti në atë drejtim me të. Nuk ka shans që demokratët e Elbasanit që opozitarët e Elbasanit të bëjnë mbrapsht nga kërcënimet e bandave dhe të krimit të organizuar. Ne jemi të vendosur për të ecur drejt fitores më 11 maj.
Asgjë nuk na ndal sepse ne kemi moralin. Morali ynë është morali i qytetarëve të thjeshtë. Morali ynë është morali i shqiptarit të ndershëm dhe I shqiptarit dinjitoz. Të gjithë në këmbë të vërshojmë drejt kutive të votimit, të votojmë Numrin 1, të votojmë Sali Berishën për të realizuar misionin e tij. Të votojmë Shqipërinë Madhështore. Fitore dhe vetëm fitore!”, deklaroi Noka.