Xhuljano Skuka ishte rikthimi “big” i Partizanit në këtë merkato janari. Sulmuesi dibran i bashkohet “demave” në formë huazimi pas marrëveshjes mes klubit francez të Metzit dhe Partizanit, marrëveshje e vlefshme deri në fund të këtij sezoni.
Skuka ka dhënë së fundmi një intervistë për faqen zyrtare të klubit, në lidhje me këtë rikthim, teksa është optimist dhe beson se skuadra e ka të gjithë potencialin për të fituar titullin kampion. Sulmuesi gjithashtu tregon se te dy klubet e fundit që ishte pjesë, si te Metz ashtu dhe te Maribori i mungoi mbështetja e tifozëve.
Tashmë jeni sërish pjesë e Partizani, si e keni pritur këtë rikthim?
Shpresoj që rikthimi të jetë mirë për mua dhe ekipin. Kam ardhur për të dhënë maksimumin dhe besoj që do të arrijmë t’ia dalim.
Ju e njihni mjaft mirë ambientin dhe skuadrën, a besoni se Partizani mund të përsërisë suksesin e vitit të kaluar, të fitojë sërish titullin kampion?
Kam shumë besim tek ky ekip, kam ndjekur dhe ndeshjet e fundit dhe besoj se cilësia nuk mungon. Grupi është, me pak fat, duke parë edhe ndeshjet e fundit, besoj se do ia dalim.
Cilët mendoni se do të jenë rivalët e Partizanit në luftën për titullin kampion?
Rivalët e Partizanit, duke parë edhe kampionatin që ka qenë i fortë, Dinamo po rikthehet shumë fortë, Vllaznia po ashtu, Egnatia është një ekip i mirë, Tirana gjithashtu. Do ketë luftë të ashpër deri në fund të kampionatit.
Keni një mesazh për tifozerinë e Partizanit?
Kam marrë pafund mesazhe nga tifozët dhe besoj se do të më shërbejë për mirë. Është një gjë që ndikon për moralin. Në dy ekipet e fundit ku kam qenë më ka munguar kjo mbështetje. Besoj se do të arrijmë t’ia dalim për të realizuar objektivat. Kjo është gjëja që i gëzon më shumë. Dua t’iu them tifozëve që dua t’i shikoj sa më të shumtë në çdo ndeshje. Mos harroni unë jam njëri prej jush.