Dy skuadra me agjentë të BKH-së, shoqëruar dhe nga patrulla të policisë së Shtetit, sot në mëngjes kanë zbatuar një vendim të gjykatës GJKKO, duke ushtruar kontrolle në banesën dhe zyrat e biznesit të Ergys Agasit.
Bëhet fjalë për kontrollin e 4 vendeve, ku agjentët e BKH-së të urdhëruar nga prokurorët e SPAK, kanë kryer sot kontrollin e banesës në Durrës dhe Tiranë si dhe vendeve të biznesit që zotërohet nga biznesmeni, Ergys Agasi.
Përgjatë gjithë fazës së kontrolleve, Ergys Agasi, ka qenë prezent e bashkë me të dhe një avokat mbrojtës.
Ndërsa mësohet se gjatë kontrollit të vilës së Agasit në Durrës, janë sekuestruar dokumente, aparate telefoni, lap-top e sende të tjera që BKH-ja ka vlerësuar se mund ti shërbejnë hetimit.
SPAK, nuk ka preferuar të bëjë asnjë koment për këtë çështje, duke hermetizuar çdo informacion që bën fjalë për këtë dosje.
Ende nuk dihet me saktësi se për çfarë hetimi bëhet fjalë për çështjen e kontrabandës së cigareve, lidhjen me drejtuesit e klanit “Troplini” apo korrupsionin zgjedhor, por gjatë ditës së sotme BKH është vënë në zbatim të një vendimi gjykate
Ndërkohë burime jo zyrtare konfirmuan se në këtë çështje ka pasur dhe urdhër-arreste, por nuk dihet me saktësi nëse kanë arrestuar apo jo, Ergys Agasin apo persona të tjerë.
Ergys Agasi, konsiderohet si një nga njerëzit me ndikim në qytetin e Durrësit dhe që mban lidhjet e forta mes biznesit, krimit të organizuar dhe politikës.
Emri i tij është përmendur shpesh në akuzat e ndërsjellta politike mes PS dhe PD-së. Ndërsa tashmë një çështje kundër tij dhe personave të tjerë është hapur në SPAK. Rasti në fjalë është në vazhdim e sipër dhe detaje të tjera pritet të dalin më pas.