Nga Ana Pashollari, kushërira e Egli Pashollarit
Një javë më parë, 31-vjeçari Egli Pashollari, i njohur nga miq dhe shoke si “Çerri i Parkut”, humbi jetën si pasojë e një goditjeje me thikë. Një konflikt i çastit, që sipas të dhënave të bëra publike, dyshohet se nisi për një bori makine, u përshkallëzua në mënyrën më tragjike të mundshme. Një jetë u shua. Një familje u copëtua. Një komunitet u trondit.
Në orët e para pas ngjarjes, në disa media online qarkulluan pretendime të pabazuara që e paraqisnin viktimën si ngacmues. Por burime zyrtare dhe dëshmitarë okularë kanë bërë të ditur se ngjarja nuk kishte lidhje me këto akuza. E vërteta doli ndryshe dhe bashkë me të, edhe padrejtësia e etiketimit të shpejtë.
Egli do të kujtohet nga ata që e njohën si një djalë social, zemërgjerë dhe besnik. Ishte nga ata njerëz që nuk e kursenin kohën për shokët, që dinin të falnin buzëqeshje edhe kur vetë kishin halle. Gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar, gjithmonë pranë atyre që donte.
Vitet e fundit kishte zgjedhur rrugën e besimit islam. Të premteve falej në xhami dhe gjatë muajit të Ramazanit agjëronte me përkushtim. Edhe në ditën kur ndodhi tragjedia, ai ishte në agjërim, një fakt i konfirmuar nga autopsia. Një simbolikë e dhimbshme: një njeri që po përpiqej të përmirësonte veten, u përball me fundin më të padrejtë.
Largimi i tij ka lënë një plagë të thellë, sidomos te prindërit. Një nënë që pret një derë që nuk do të hapet më si dikur. Një baba me probleme shëndetësore, që përballet me dhimbjen më të rëndë që mund të përjetojë një prind. Asnjë fjalë nuk e lehtëson këtë peshë.
Pranë Eglit ishte gjithmonë maçokun i tij. Sot, ai është një prani e heshtur në shtëpi, një ngushëllim i vogël në një realitet të madh bosh.
Rrugët ku ai kalonte çdo ditë sot duken ndryshe. Ka një boshllëk që nuk mbushet, një heshtje që flet më shumë se çdo zhurmë. Ka edhe zemërim. Sepse 31 vite jetë nuk duhej të përfundonin për një moment të kotë.
Por kjo histori nuk është vetëm një histori dhimbjeje. Është një alarm.
Është një thirrje për rininë, për të kuptuar sa e hollë është vija mes një momenti nervozizmi dhe një tragjedie të pakthyeshme.
Sa pak duhet që një konflikt i çastit të shndërrohet në humbje jete. Sa shtrenjtë paguhet një sekondë pa kontroll.
Duhet të pyesim veten: a ia vlen një bori makine, një fjalë e thënë në nerva, një krenari e lënduar, sa një jetë? A ia vlen të shkatërrohen dy familje për një çast zemërimi?
Egli nuk kthehet më. Por kujtimi i tij na sherben si mësim. Si reflektim. Si ndërgjegjësim.
Le ta ngremë figurën e tij jo për të ushqyer urrejtje, por për të forcuar mesazhin se jeta është e shenjtë dhe se dhuna nuk është kurrë zgjidhje. Le ta mbajmë mend si një djalë të buzëqeshur, zemërgjerë, besnik dhe ta kthejmë dhimbjen në përgjegjësi kolektive.
Sepse rrugët ku sot ndihet boshllëk dhe heshtje, nuk duhet të mbushen më me tragjedi.
Duhet të mbushen me ndërgjegje.
Qëndro i qetë aty ku je dhe u prehsh në paqe!









