Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare si pasojë e një sëmundje të rëndë me të cilën po vuante prej dy vitesh.
Njoftimi për ndarjen nga jeta të tij është bërë nga një mik i ngushtë, Agim Muço, i cili ka postuar në rrjetet sociale.
Muço ka kujtuar se e ka njohur Harasanin gjatë kohës kur ai ishte student në Fakultetin Ekonomik dhe ka theksuar se Harasani ishte një student shumë inteligjent.
Ai e ka përshkruar si një njeri të talentuar, me një karakter të fortë dhe një djalë të zot.
Andis Harasani ka qenë deputet i PS-së dy herë, në vitet 2005 dhe 2009, dhe ka drejtuar Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) nga shtatori i vitit 2002 deri në korrik 2005.
Pas dorëheqjes nga mandati i deputetit në vitin 2012, ai u shpërngul në SHBA, por nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në jetën publike.
Ai vazhdoi të ishte aktiv në rrjetet sociale, duke kritikuar shpesh politikat e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama.