Ditën e martë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me mot kryesisht të vranët dhe intervale të shkurtra kthjellimi. Reshjet e shiut do të jenë me intensitet të ulët, duke nisur fillimisht përgjatë vijës bregdetare në orët e para të ditës, për t’u shtrirë më pas në pjesën më të madhe të territorit.
Era do të fryjë e lehtë nga kuadrati i jugut me shpejtësi deri në 8-10 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore, do të arrijë deri në 15 m/s, duke sjellë valëzim në dete me forcë 1-3 ballë.
Temperaturat pritet të variojnë:
• Në zonat malore: 5 deri në 11°C
• Në zonat e ulëta: 7 deri në 16°C
• Në zonat bregdetare: 8 deri në 15°C
Moti pritet të mbetet i paqëndrueshëm edhe në vijim, ndaj qytetarët këshillohen të marrin masat e nevojshme.