Gazetari Osman Stafa publikoi një koment të një qytetareje, e cila ndau historinë e nënës së saj të ndjerë, një paciente me kancer gjiri me metastaza në kocka, e cila humbi jetën jo vetëm nga sëmundja, por edhe nga ajo që ajo sorollatje, burokracitë dhe neglizhenca sistematike.
Sipas dëshmisë së saj, nëna u diagnostikua në Korçë më 29 dhjetor 2021 dhe vetëm më 15 shkurt 2022 pati takimin e parë në Tiranë.
Biopsia, edhe pse e konsideruar urgjente nga mjekja onkologe, u shty deri më 13 mars. Përgjigjet vonuan, komunikimi me institucionet ishte thuajse i pamundur dhe mjekimet u shtynë me javë të tëra.
“Kur erdhi radha pas 1 viti për shintigrafinë, përgjigjen se morëm dot kurrë,” shkruan ajo, ndërsa shton se për të siguruar një medikament të domosdoshëm, duhej të ndërhynte mjekja e lagjes dhe një farmaciste mike.
Mjekimet vonuan, pajisjet nuk funksiononin dhe askush nuk kishte përgjegjësi të qartë. “Mamin e humba… ndoshta do të ishte ende me ne nëse nuk do kishim kaluar në gjithë atë labirint,” përfundon mes emocioneve ajo.
Postimi i plotë:
Një nënë që humbi jetën, jo vetëm nga kanceri, por edhe nga sorollatjet, burokracitë dhe neglizhenca sistematike.
Sa të tjerë do humbin ndërsa shëndetësia jonë pret, vonon, hesht?
Ky nuk është rast. Është sistem.
Komenti i plotë:
Vasilika Mihallari Vllaha
Më preke thellë në zemër. Kisha mamin me diagnozën kancer gjiri me metastazë në kocka. Diagnostifikohet në Korçë më 29 dhjetor 2021. Takimi i parë në Tiranë më 15 shkurt 2022. Sorollatje pafund në onkologjik.
Mjekja A.K (besoj bëhet fjala për të njëjtën mjeke) e trajton si rast urgjent për të bërë biopsi sa më shpejt. Por jooo, biopsia caktohet më 13 mars 2022. Në 13 mars sorollatet me orë të tëra pavarësisht dhimbjeve të forta. Do ta marrin në telefon pas 2 javësh na thanë që të vinim të merrni përgjigjen. Kalojnë 2 javë, 3 javë… asnjë përgjigje.
Çdo numër i mundshëm telefoni që gjeja në internet na dilte jashtë shërbimit. Pas 1 muaji pritje, nisem vetë drejt Tiranës, thashë hajt se po pyes kot. Përgjigjia kishte 2 javë që kishte dalë. Takohem me mjekën A.K e cila na cakton direkt për kimioterapi në Korçë si dhe nisjen e mjekimeve: letrazol dhe lasibon. Këtu nis kalvari tjetër. Për Lasiboni, Fondi i Sigurimit kërkonte rezultate të Shintigrafisë për të cilën asnjëherë nuk na ishte thënë.
Nisem përsëri drejt Tiranës ku mjekja na jep rekomandim urgjent për shintigrafi. Por jooo, shintigrafia ishte prishur dhe edhe kur të rregullohej kushedi kur na vinte radha. Falënderoj mjekën e lagjes që doli jashtë çdo kompetence duke ju lutur fondit për atë ilaç.
Dhe farmacisten, miken time. Kur erdhi radha pas 1 viti për shintigrafinë, përgjigjen se morëm dot kurrë. Ehhh sa sorollatje të tjera. Mjekja A.K vuri duart në kokë kur i thashë se mami mbeti më shumë se 1 muaj pa mjekimin që i nevojitej.
Gjej rastin ta falënderoj sepse është 1 mjeke shumë e mirë. Unë mamin e humba…. nuk di, mbasë ende mund të ishte mes nesh nëse nuk do kishim kaluar në gjithë atë labirint. Nuk di, pikëpyetjet janë ende të mëdha