Nën ethet e 11 majit, kryeministri Edi Rama ka mbledhur kandidatët për deputet të qarkut të Tiranës.
Nga takimi me socialistët, Rama e bëri fakt të kryer votën e Diasporës për Partinë Socialiste. Me bindje, kryeministri tha se bashkë me votën e diasporës, PS do të arrinte 1 milion vota.
“Ne jemi një parti e gjerë. Jemi këtu prej vullnetit të 800 mijë zgjedhësve dhe me votën e diasporës synojmë të shkojmë 1 milion. Të gjitha zgjedhjet kanë qenë të rëndësishme dhe një parti si e jona hyn për të fituar. Çdo zgjedhje ka pasur peshën e vet mbi ecurinë e vendit, por këto zgjedhje kanë një peshë specifike të posaçme sepse që nga zgjedhjet e para pluraliste, ato të ‘91 dhe ‘92, këto zgjedhje janë të parat që kanë një rëndësi të posaçme gjeopolitike për Shqipërinë”, tha Rama.
Kjo deklaratë e kryeministrit vjen në një kohë kur Diaspora voton për herë të parë në zgjedhje. Megjithatë Rama, me nuhatje patronazhisti, ka parashikuar dukshëm grabitjen e votës së diasporës.
PS e ka kthyer në modë përdorimin e patronazhistëve për të cilët Rama është shprehur se “bëjnë punën që bëhet në të gjitha partitë serioze”.