Kreu i Partisë Demorkatike, në një deklaratë për media e ka cilësuar censurë vendimin e qeverisë për të mbyllur Tik Tok-un.
Berisha njoftoi protestë kombëtare më 15 mars, teksa deklaroi që Rama po e rreshton Shqipërinë krah Afganistanit dhe Iranit, në një akt frike dhe tmerri nga liria e shprehjes.
“Sot në kulmin e fushatës elektorale, narkopadrinoja i Shqipërisë, Toto Rino apo El Chapo njoftoi vendimin e narkoqeverisë së tij për ndalimin e TikTok-ut për 12 muaj. Me këtë akt censure të mbi 1 mln përdoruesve të TikTok në Shqipëri, Edi Rama rreshton Shqipërinë me Afganistanin dhe Iranin. Ky akt censure është një akt i mirëfilltë fanatizmi, intolerance, frike dhe tmerri nga mendimi i lirë dhe shprehja e tij. TikTok është një platformë komunikimi, e cila sot ka pëlqimin masivisht të të rinjve në Shqipëri dhe botë”, tha Berisha.