Himarë, Qershor 2025 – Livadhi, një nga plazhet më të njohura familjare në jug të Shqipërisë, ndodhet në një gjendje shqetësuese pak ditë pas nisjes zyrtare të sezonit turistik.
Vizitorët dhe banorët lokalë shprehen të zhgënjyer nga gjendja e plazhit, i cili është i mbuluar me mbeturina, i rrethuar nga ndërtime të pakontrolluara dhe përfshirë nga kaosi urbanistik.
Përkundër faktit që Bashkia e Himarës paguan miliona lekë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e zonave turistike, shërbimet mungojnë, ndërsa infrastruktura është lënë pas dore.
“Është për të ardhur keq. Ky është një nga plazhet më të bukur të jugut, por sot është i pamenaxhueshëm,” thonë pushues të rregullt në zonë.
Ndërkohë që Shqipëria synon të rrisë të ardhurat nga turizmi, raste të tilla vënë në rrezik imazhin e vendit dhe besimin e vizitorëve vendas e të huaj.