Gjykata e Fierit ka pranuar kërkersën e ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji për lirimin me kusht, pasi ka ezauruar 2/3 e dënimit.
Vendimi është dhënë nga gjyqtarit Noel Vezizi, teksa në seancën e sotme Shërbimi i Provës dorëzoi një raport, teksa shprehu dakordësinë edhe prokurori Genci Mane.
Në seancën e shkuar u paraqit raporti i vlerësimit të sjelljes nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Fier, i cili sipas avokatit të Salianjit, Ledio Braho, ka rezultuar pozitiv.
Pas daljes nga Gjykata, Ervin Salianji nën shoqërinë e forcave të Policisë dha vetëm një koment të shkurtër për gazetarët, ku njoftoi se do të mbajë një konferencë për mediat në orën 17:00, me shumë mundësi nga selia e Partisë Demokratike.
“Gjykata e Fierit pas rekomandimeve pozitive të IEVP Fier dhe Shërbimit të provës dhe qëndrimit pozitiv të Prokurorit në lidhje me kësen e depozituar nga Salianji, pranoi kërkesën dhe vendosi lirimin e tij të parakohshëm me kusht.” – tha shkurtimisht për gazetarët avokati i tij, ledio Braho.
Ish-deputeti i PD-së u shfaq me pranga në duar në momentin kur doli nga furgoni i Policisë për t’iu drejtuar gjykatës, teksa shoqërohej nga dhjetra efektivë.
Salianji ndodhej prej 27 shtatorit të vitit të kaluar në burgun e Fierit, pasi Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë duke e dënuar me 1 vit burgim për shkak se i prishi imazhin Qeverisë duke denoncuar Geron Xhafajn, vëllain trafikant droge të ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Ky vendim u la në fuqi edhe nga Gjykata e Lartë.
Salianji kreu edhe mbi 10 muaj burgim, por vlen për t’u theksuar fakti se ai ka si dënim plotësues edhe heqjen e të drejtës prej 5 vitesh për të ushtruar funksione publike.
Ervin Salianji, por dhe Partia Demokratike, e kanë konsideruar dënimin e Apelit për të si një hakmarrje politike të Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt dhe të pambështetur në prova dhe në ligj. Ish-deputeti demokrat e konsideron veten si një të dënuar politik dhe ka paralajmëruar se çështjen do e ndjekë deri në Strasburg.