Në rubrikën e radhës së kryeministrit Edi Rama ‘sy më sy’ në Facebook, një mundësi për ndjekësit për t’i drejtuar pyetje kreut të qeverisë, dominojnë shqetësimet rreth legalizimeve, një gangrenë e të gjitha qeverive, por që vitet e fundit është kthyer në vatrën më të madhe të korrupsionit. Edhe në platfomën e bashkëqeverisjes, dominojnë denoncimet dhe ankesat për pronat.
Dy javë më parë, kryeministri Edi Rama pranoi kaosin me hipotekën, por shtoi se këtë problem mund t’a zgjidhë vetëm PS-ja dhe jo këneta, duke iu referuar Sali Berishës dhe PD-së. “Nuk e kam si ta mohoj që kemi problem me hipotekën. Pyetja është, ky problem është arsye për ta votuar PS, apo jo?”, tha Rama, edhe pse ka 12 vite në pushtet.
Batërdia tek hipotekat nuk është abstrakte apo një virus i padukshëm, por ka emra konkretë. Njerëzit kyç në hipoteka nuk kanë fjetur gjumë, kanë punuar natë e ditë, jo për qytetarët, por për veten e tyre, duke kopsitur letrat për të kaluar prona publike dhe private në emrin e vet dhe në emrin e familjarëve të tyre. Krahas tarifave të pashpallura të korrupsionit për një të drejtë që u takon qytetarëve, ‘ujqërit’ e hipotekave janë kthyer në bejlerë të pronave nga Tirana në bregdet, duke tjetërsuar dhe përvetësuar prona.
Nëse Edi Rama nuk është në dijeni, meqenëse është fokusuar më shumë në punët e jashtme, po sjellim një shembull konkret. Martin Kala është dejtor Hipoteke, Drejtoria Vendore Rurale 1 Tiranë. Kala vjen nga LSI, shkolla më e njohur e korrupsionit në Ballkan, madje i këndonte Monika Kryemadhit “Ti je kështella jonë’ bashkë me Floida Kërpaçin, tashmë e deklasuar nga Ilir Meta si puçiste. Kala ishte një nga ‘specialistët punëmbaruar’ të LSI te Hipoteka.
Teksa në fushatën e fundit është shfaqur në krah të Ilir Metës, nuk dihet se si Martin Kala u ngjit në pozicionin kyç të Hipotekës, për të kopsitur letrat e tjetërsimit të pronave në periferi të Tiranës, të piketuar nga oligarkët për të ndërtuar komplekse vilash. Por gjatë kësaj detyre të rëndësishme, Kala ka menduar edhe për veten e tij. Në emrin e njerëzve të afërt Martin Kala kanë kaluar disa prona në zonën e TEG-ut, histori për të cilën do të flasim më në detaje në vijim. (Pronat i ka regjistruar vetë, duke i kaluar në emrin e njerëzve të afërt).
Agron Çerri, ish kreu i PS-së Dibër, është drejtor Hipoteke për zonat Kamzë-Vorë. Çerri, nën patronazhin e ministrit të Drejtësisë, njihet ndryshe si ‘drejtor torba’ dhe konsiderohet si stërmbullari i kërdisë me pronat në Kamëz dhe Vorë. Një informacion i detajuar në BKH e përshkruan Çerrin si një institucion lëvizës korrupsioni me pronat. Në prill 2021, Çerri u mor peng nga struktura paramilitare e PD nën dyshimet se po blinte vota. Por, disa muaj më pas, në dhjetor 2021, u akuzua nga berishistët se kishte mbushur sallën e Lulzim Bashës në një takim të këtij të fundit në Peshkopi.
Ndërkaq, në Drejtorinë e Përgjithshme, në pozicione kyçe, janë vensosur familjarë të anëtarëve të organizatave më të rrezikshme kriminale në vend, në kërkim dhe të arrestuar nga SPAK, njerëz të besuar të organizatave kriminale dhe personazhe të skeduar për tjetërsim, falsifikim dhe korrupsion me pronat. Ky grup njerëzisht punon për kalimin e pronave nga Tirana në breget në emër të anëtarëve të grupeve kriminale, të cilët ndërtojnë kulla dhe resorte, duke pastruar paratë e pista./PRAPASKENA