Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, foli sot lidhur me ligjin për kultivimin e kanabisit për qëllime mjekësore në Shqipëri.
Ministrja sqaroi se zonat janë përzgjedhur në bazë të studimeve të mirëfillta dhe se në listë nuk përfshihen zonat me bujqësi të zhvilluar siç është zona e Myzeqesë dhe ajo e Korçës.
“Kjo është në vijim të një ndryshimi ligjor të bërë 2 vite më parë. Aktualisht janë 10 zona kadastrale të cila janë përcaktuar në bazë të një studimi dhe këto 10 zona janë të mirëpërcaktuara. Janë në të gjithë Shqipërinë, ku cilësia e tokës është e përshtatshme, janë të përjashtuara zonat me intensitet të lartë bujqësor siç janë Myzeqeja dhe Korça.”
Gjithashtu ministrja njoftoi sot se Këshilli i ministrave miratoi skemën e subvencioneve për fermerët dhe blegtorët.
“Miratuam sot vendimin për fermerët dhe blegtorët. Përcaktimin e kriterit bazë dhe masën e financimit për të gjithë sektorët që do mbështeten nga fondet e programit për zhvillimin rural, thënë ndryshe skema e subvencioneve. Ky është vit i rëndësishëm për bujqësinë shqiptare, skema e subvencioneve nis sot”, u shpreh ministrja.