Nuk ndalet Ilir Trebicka, një nga përfituesit më të mëdhenj të pasurive publike falë njohjes që ka me Edi Ramën, njeriun që ndan prej 13 vitesh Shqipërinë si plaçkë lufte me një rreth klientësh, sigurisht duket gostitur dhe mbyllur gojën me tendera, kulla dhe prona edhe dy kundërshtarëve të tij në teatrin politik.
Ish baskebollisti që u kthye në oligark, falë miqësisë me kryeministrin Edi Rama që nga koha kur të dy kanë qenë të angazhuar me basketbollin, ka përfituar miliona m2 prona publike ai dhe leje për ndërtim kullash, kompleks pallatesh, vilash dhe resorte nga Tirana në Dhërmi.
Në fillim të muaj korrik 2024, një muaj para miratimit të lejes për kullë 40 kate te Liqeni, Këshilli Kombëtar i Territorit me në krye Edi Ramën ka miratuar një leje për Ilir Trebickën për të ndërtuar një kompleks vilash dhe pallatesh në Farkë, mbi tokë të përfituar në mënyrë të dyshimtë.
“Leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks me banesa individuale 1 dhe 2 kate me mure rrethuese dhe godina banimi 1, 2, 3 dhe 4 kate me 1 kat parkim nëntokë”, me vendndodhje në Farkë, Bashkia Tiranë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Trema Investment” sh.p.k.“, thuhet në vendimin e KKT.
Kompania Trema Investment është në pronësi të Ilir Trebickës, i cili ka 40 % të aksioneve, Ilir Hoxhallari 20%, turku Yusuf Gõkdemír 20% dhe Ermal Koka 20%. Ilir Trebicka është edhe administrator i kompanisë përfituese, themeluar në vitin 2023, me kapital 100 mijë lekë.

Krahas misterit të përfitimit të pronës ku do ndërtohen vilat deri në 4 kate, ngrihen dyshime edhe për pastrim parash, pasi kemi të bëjmë me një kompani fantazmë, pa veprimtari.
Kullë 40 kate te Parku i Liqenit në Tiranë
Në mbledhjen e datës 7 gusht të këtij viti, pra rreth 3 javë më parë, Këshilli Kombëtar i Territorit me në krye Edi Ramën, miratoi një ditë më parë lejen e zhvillmit për ndërtimin e një kulle të quajtur “Grand Park Skyline”, me vendndodhje në Rrugën “Adem Jashari”.

Kulla 40 kate do të ngrihet ngjitur me derën e Gardës së Republikës, ne vendin ku sot gjendet ndërtesa katër katëshe e Tirana Bank.
Kompania përfituese e lejes është pikërisht X One shpk me pronarë Ilir Trebicka, Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj. Mbetet i dyshimtë fakti se si një kompani me kapital 1 milionë lekë do investojë dhjetëra milionë euro për kullën dhe fotovoltaike. Gjithashtu, ka dyshime për përvetësim të sipërfaqeve toke pronë publike për ngritjen e kullës 40 kate si dhe për cënim të Parkut të Liqenit, zonë e mbrojtur.
4 milionë m2 prona publike në Poliçan
Një kompani e lidhur me emrin e Ilir Trebickës, X One, themeluar në vitin 2021 dhe me kapital vetëm 1 milionë lekë, mban rekord në Shipëri për sipërfaqen e tokës që ka marrë me qira për të ngritur biznesin e energjisë me fotovoltatike.
Përmes dy tendera fiktivë, me ofertë sa çmimi tavan dhe pa konkurrencë, X One ka marrë nga Bashkia Poliçan rreth 4 milionë metra katorë prona me qira për fotovoltatike, prona për të cilat do të paguajë 700 mijë euro në vit.

Së pari, në tender ka marrë pjesë vetëm kompania X One, edhe pse ka qindra kompani të interesuara për të investuar në fotovoltaike.

Së dyti, oferta fituese e kompanisë X One është sa çmimi dysheme i vendosur nga Bashkia Poliçan me në krye Adriatik Zotkaj, një peronazh i dënuar të paktën 4 herë me vendime të formës së prerë.
Së treti, kompania X One, e cila do të investojë miliona dhe ndoshta dhjetëra milionë euro, është themeluar në vitin 2021 dhe kapitali i saj është vetëm 1 milionë lekë.