Gjatë bisedës, gazetari solli në vëmendje rastin e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, në kuadër të hetimeve për komunikimet e dyshuara me Ergys Agasin.
Rama nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes, por e zhvendosi diskutimin te një tjetër çështje, duke pyetur gazetarin se çfarë lidhjeje kishte rasti me investimet në bregdet.
Pjesë nga dialogu:
Rama: “Mendoj se nuk të takon ty të thuash kush është i korruptuar dhe kush nuk është.”
Gazetari: “Nuk po them unë kush është i korruptuar. Po flas për persona të arrestuar nën dyshimet për korrupsion. Për shembull, drejtuesja e shërbimeve të inteligjencës, më pak se dy javë më parë, u vu nën masë sigurie për shkak të një marrëdhënieje me një person të lidhur me krimin e organizuar.”
Rama: “Nuk e di pse i përzien gjërat. Çfarë lidhje ka kjo tani me investimin në bregdet?”
Gazetari: “Po i përgjigjem asaj që thatë për faktin se nuk po i quaj unë njerëzit të korruptuar. Po flas për persona të përballur me akuza për korrupsion. A mendoni se kjo është thjesht çështje e përgjegjësisë individuale?”







