Një qytetar ka dalë publikisht kundër Raiffeisen Bank, duke pretenduar se nga llogaria e tij janë tërhequr para pa dijeninë dhe autorizimin e tij, ndërsa prej dy vitesh nuk arrin të marrë të gjithë shumën që pretendon se i është marrë.
Qytetari ka zgjedhur të denoncojë rastin përpara filialit të bankës në Komunën e Parisit në Tiranë, ku në të njëjtën kohë policia po kryente veprime hetimore pas raportimit të një grabitjeje me armë në këtë degë.
Sipas rrëfimit të tij, problemi ka nisur me mungesën e 23 eurove nga llogaria bankare. Ai thotë se pasi ka sinjalizuar punonjësit, i është premtuar se shuma do t’i kthehej. Por, disa muaj më vonë, qytetari pretendon se ka konstatuar një tjetër tërheqje, këtë herë në vlerën e 7 mijë eurove.
View this post on Instagram
Nga kjo shumë, sipas tij, banka ka rimbursuar vetëm 3 mijë euro, ndërsa 4 mijë euro të tjera vijojnë të mungojnë. Qytetari thotë se pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme gjatë dy viteve të fundit, nuk ka arritur të marrë paratë e mbetura. Ai pretendon gjithashtu se tashmë i është ndaluar hyrja në ambientet e filialit.
Në deklaratën e tij, qytetari kërkoi përgjigje për fatin e 4 mijë eurove që, sipas tij, banka ende nuk ia ka kthyer. Ndërkohë, pretendimet e tij kërkojnë edhe një reagim nga institucioni bankar.







