Mbrëmjen e sotme dhe nesër, policia e Tiranë ka njoftuar kufizime të qarkullimit të mjeteve në kryeqytet.
Në një njoftim për mediat, policia bën me dije se do të bllokohen disa akse me rastin e zhvillimit të Festivalit Ndërkombëtar të Arkitekturës “Bread & Heart Festival”.
Akset që do të bllokohen më datë 05.06.2025, nga ora 22:00 deri në orën 23:30 të datës 06.06.2025, janë:
- Nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi i Ministrisë së Brendshme me bashkinë e Tiranës;
- ”Myslym Shyri”; “Ibrahim Rugova”; bulevardi “Dëshmorët e Kombit” nga rruga “Abdi Toptani” deri te rruga “George Ë. Bush”.
- Gjithashtu, do të bllokohen vendqëndrimet e autobusëve, në rrugën “28 Nëntori”, pas godinës së TOB.
Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve, për zbatimin e këtyre masave, të cilat kanë si qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe mbarëvajtjen e Festivalit.
Bllokim të rrugëve do të ketë edhe ditë e Shtunë, kur në stadiumin kombëtare do të luhet dneshja e fundtbollit Shqipëri-Serbi, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit të ardhshëm.
Më herët, policia njoftoi se për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, gjatë datës 7 qershor 2025, nga ora 15:00 deri në përfundim të ndeshjes, do të aplikohen kufizime të qarkullimit të mjeteve në disa akse rrugore në afërsi të stadiumit, konkretisht:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi pranë Presidencës drejt sheshit “Nënë Tereza”, rruga “Papa Gjon Pali i II”, rruga “Dervish Hima”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Asim Zeneli”, pranë Ambasadës së SHBA-së, rruga “Themistokli Gërmenji”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Lekë Dukagjini”, pranë ish-Gardës së Republikës deri tek stadiumi, rruga “Faik Konica” dhe rruga “Skerdilajd Llagami”.
Parkimi i autobusëve me tifozë vendas që vijnë nga Korça dhe Elbasani, do të bëhet në parkingun e lokal “Kalvin”, ndërsa autoveturat te terminali pranë qytetit “Studenti”.
Parkimi i autobusëve që vijnë nga veriu dhe jugu, do të bëhet në parkimin “Terminali i përpunimit të automjeteve” pranë mbikalimit të Kamzës, ndërsa autoveturat tek parkingu pranë pallatit të sportit “Asllan Rusi”, në parkingun nëntokësor në sheshin “Skënderbej”, si dhe në parkingun nëntokësor në “Bulevardin e Ri”, te ish-stacioni i trenit.