Besnik Fuçia, ish-kryetar i komunës Kashar, sot figuron pronar i mbi 6000 metra katrorë toke në Mezez, Yrshek, Katund i Ri dhe Mjull-Bathore. Toka publike është kthyer në pasuri private përmes dokumenteve të firmosura ndër vite nga vetë Fuçia, i cili më pas është arrestuar për falsifikime dhe dëmtime ndërtimore në lidhje me tërmetin e 26 nëntorit 2019.
Pamfleti ka zbuluar se në emrin e Besnik Fuçisë figurojnë të regjistruara të paktën 6 prona të mëdha në zonat Mezez, Yrshek, Katund i Ri dhe Mjull-Bathore. Prona trualli, tokë arë dhe ndërtesa janë marrë përmes skemës së “fitimit të pronësisë me emërtim”, të regjistruara në periudhën kur Fuçia ka qenë në funksione publike ose menjëherë pas tyre. Regjistrimet janë bërë me vlera fiktive dhe dokumente që nuk shoqërohen me blerje reale apo trashëgimi.
Të gjitha pasuritë e regjistruara në emrin e Besnik Fuçisë:
– Zona Kadastrale 2679, Mezez – Pasuria 1/101:
Tokë arë, sipërfaqe 2000 m². Pa ndërtim. Regjistruar me dokument të vitit 2012.
– Zona Kadastrale 2679, Mezez – Pasuria 1/213:
Truall me ndërtesë, 235.2 m². E marrë përmes “aktit të fitimit të pronësisë” në vitin 2013.
– Zona Kadastrale 3865, Yrshek – Pasuria 12/45:
Truall 500.5 m² dhe ndërtesë 130.9 m². Regjistruar në 2013 me vlerë të padeklaruar.
– Zona Kadastrale 2679, Mezez – Pasuria 1/5/1:
Tokë arë, sipërfaqe 400 m². Vlerë e regjistruar: 800.000 lekë.
– Zona Kadastrale 2679, Mezez – Pasuria 1/5/2:
Tokë arë, 360 m². Regjistruar në të njëjtën datë me pronën e mësipërme.
– Zona Kadastrale 2119, Katund i Ri – Pasuria 212/14:
Tokë arë, 1500 m². Regjistruar në vitin 2001 me vlerë 1.100.000 lekë.
Në total, këto prona përbëjnë një sipërfaqe mbi 6600 m², në zona me zhvillim intensiv dhe vlerë tregu shumë herë më të lartë se ajo e regjistruar në kartelë. Asnjëra nga këto prona nuk është hetuar, sekuestruar apo verifikuar nga ndonjë institucion.
Besnik Fuçia nuk ka vepruar vetëm. Në të njëjtat zona dhe me të njëjtin model figuron edhe Faik Fejza, ish kryetar komune Kashar, i arrestuar bashkë me të në vitin 2019 për ndërtimet pa leje, mungesë aktesh teknike dhe dëmtime strukturale që u zbuluan pas tërmetit të 26 nëntorit. Të dy kishin dhënë leje ndërtimi pa projekt sizmik, pa kolaudim dhe pa kontroll. Të dy kishin përfituar prona në mënyrë të njëjtë. Dhe të dy sot rezultojnë si bashkëfajtorë për dëmet në ndërtimet që lanë njerëzit pa strehë dhe shtetin pa dinjitet.
Të dhënat zyrtare të prokurorisë konfirmojnë se ndër objektet e shembura në Tiranë pas tërmetit, një pjesë janë miratuar me firmat e tyre, në kundërshtim me ligjin dhe standardet ndërtimore.
Prona publike në periferi të Tiranës është përvetësuar ndër vite në mënyrë sistematike nga njerëz që kanë qenë pjesë e strukturave vendimmarrëse, duke përdorur funksionin zyrtar për të përfituar në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmes dokumenteve të manipuluara dhe regjistrimeve fiktive. Rastet e dokumentuara në emër të Besnik Fuçisë nuk janë raste të izoluara apo gabime administrative. Janë produkt i një skeme të ngritur mbi abuzimin me detyrën, në bashkëpunim me zyrtarë të kadastrës dhe zinxhirë të tjerë teknikë që e kanë bërë të mundur këtë tjetërsim.
Të gjitha pronat janë ende aktive, të regjistruara, të paprekura dhe të mbrojtura nga heshtja institucionale. Edhe pas arrestimeve, askush nuk ka ndërmarrë asnjë hap për hetim pasuror, sekuestrim apo verifikim të vlerës reale dhe mënyrës së përfitimit.
Nëse drejtësia kërkon të jetë funksionale dhe serioze, ky është momenti për të vepruar. Sepse faktet janë të dokumentuara, emrat janë të qartë dhe prona është e identifikueshme me të gjitha elementët ligjorë.


/Pamfleti/