Dritan Dervishi prej rreth dy vitesh është larg futbollit shqiptar dhe atdheut të tij, por nga atje nuk e ka humbur interesin dhe vëmendjen për Kategorinë Superiore. Shefi i skautëve të Hellas Veronës, në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, flet për Superioren dhe skemën e re. Ish-drejtori i Partizanit shprehet se afrimi i Skukës është një goditje super për klubin e kuq, por jo për vetë lojtarin.
Dervishi shton se nuk do të kishte bërë një lëvizje të ngjashme me Shehin, nga Tirana te Partizani.
Si ju duket ecuria e ekipeve në Superiore? Cili është favoriti dhe a ka një skuadër që ju ka bërë më së shumti përshtypje?
Kampionati duket mjaft i mbyllur dhe nuk mund të veçoj një skuadër të caktuar, që mund të dominojë garën apo të bëjë diferencën. Vetëm Zoti e di se kush e fiton kampionatin pas pesë muajsh. Me të vërtetë është e vështirë të bësh parashikime në këtë situatë.
Si ju duket merkatoja e këtyre ditëve të para në Superiore? Cili nga klubet ka goditur më së shumti me afrimet e kryera?
Siç e thatë edhe ju, merkatoja është ende në start, prandaj nuk mund të bëj një bilanc, por mund të them se parashikoj shumë goditje në vazhdim. Besoj se Egnatia dhe Partizani do të jenë më aktivët…
Partizani zyrtarizoi rikthimin e Xhuliano Skukës. Si e komentoni këtë lëvizje?
Skuka është djalë shumë i mirë dhe unë e respektoj, por po të isha agjenti ose babai i tij, në asnjë moment nuk do t’i sugjeroja të kthehej në Kategorinë Superiore, jo për kualitetin e ligës, por për të ardhmen e tij. Pastaj, në lidhje me Partizanin, klubi ka arritur të bëjë një super goditje, duke afruar një nga sulmuesit më të mirë që ka luajtur në vitet e fundit në kampionatin shqiptar.
Klubi zgjodhi Orges Shehin si trajnerin e ri të skuadrës. Ju duket njeriu i duhur për të drejtuar Partizanin?
Për mendimin tim, pas Ilir Dajës, Shehi është trajneri më i përgatitur në Kategorinë Superiore. Nëse do ta lejojnë të punojë me qetësinë e nevojshme, jam i bindur se ai trajner do të sjellë risi në klubin e Partizanit.
A do ta kishit bërë ndonjëherë kalimin nga Tirana te Partizani?
Unë jam tifoz i Tiranës, por kurrë nuk do të shkoja atje për respekt të tifozerisë së kuqe. Në Shqipëri do të kthehesha si drejtor vetëm tek Elbasani, pasi e kam ekipin e qytetit të nënës sime të ndjerë.
Si prisni të ndikojë skema e re e ligës në vazhdimin e garës?
Është një skemë e paprovuar ndonjëherë dhe nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të presim. E vetmja frikë e imja është se lufta për mbijetesë do të jetë shumë e varur nga katër vendet e para.
Si një ekspert i merkatos, çfarë lojtarësh i mungojnë këtij Partizani?
Jo vetëm Partizanit, por thuajse të gjithë futbollit shqiptar i mungojnë lojtarët e rinj. Klubet duhet të shikojnë më shumë në zhvillimin e akademive, pasi nuk kanë mundësi financiare për të qenë klube blerëse. Futbolli shqiptar duhet me patjetër të prodhojë talente, çka do ta shndërronte në një biznes fitimprurës.
A mendoni se ka një lojtar të Kategorisë Superiore, që besoni se mund të mbërrijë në Serinë A?
Në këndvështrimin tim, për momentin mendoj se asnjë lojtar i Kategorisë Superiore nuk është i gatshëm për Serinë A. Ju uroj një vit të mbarë si dhe shpresoj të shohim një kampionat të bukur dhe pa kompromise në vazhdim…