Instituti Ndërkombëtar i Medias ka reaguar pas sulmeve të fundit që kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i burgosur, Erion Veliaj, i kanë drejtuar mediave në Shqipëri.
Në një postim në Instagram, IPI shpreh shqetësim për sulmet e Ramës dhe Veliajt dhe iu bën thirrje zyrtarëve të përmbahen nga presioni që ushtrojnë mbi mediat, siç është rasti i BIRN.
“IPI shpreh sot shqetësimin për rritjen e fundit të sulmeve verbale dhe shpifjeve ndaj mediave të pavarura në Shqipëri nga politikanë kryesorë, përfshirë kryeministrin Edi Rama dhe kryebashkiakun e arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Ne u bëjmë thirrje zyrtarëve publikë që të përmbahen nga një presion i tillë i pabazë ndaj mediave profesionale të vendit, përfshirë mediat si BIRN Albania, dhe të mbështesin ata gazetarë që përballen me fushata shpifjesh dhe ngacmimesh në internet për punën e tyre. Ne gjithashtu qëndrojmë pranë Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt dhe atyre që luftojnë për të mbështetur lirinë e medias brenda vendit ballkanik”, thuhet në reagim.