Importet e cigareve kanë vijuar rritjen edhe në vitin 2026, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar për periudhën janar-korrik që nga viti 2013.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në shtatë muajt e parë të vitit 2026 u importuan 2,017 tonë cigare, nga 1,912 tonë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja vjetore është rreth 5.5%, ose 105 tonë më shumë. Të dhënat tregojnë se rikthimi i importeve të cigareve nuk është vetëm zhvillim i vitit 2026. Në tre vjet, importet janë shtuar me rreth 20%.
Një nga faktorët që mund të ketë ndikuar në zgjerimin e kërkesës është rritja e numrit të të huajve që hyjnë në vend, veçanërisht gjatë muajve të sezonit turistik. Vetëm në korrik 2026, hyrjet totale të shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin e vendit u rritën me 6.1% në krahasim me korrikun e një viti më parë, sipas INSTAT. Rritja e popullsisë së përkohshme gjatë sezonit turistik zgjeron tregun e konsumit për një sërë produktesh, përfshirë produktet e duhanit. Ndryshe nga produktet e tjera cigaret në vendin tonë janë më të lira se në BE. Një pjesë e turistëve europiane në ikje blejnë edhe disa paketa nga vendi ynë.
Rritja e importeve të cigareve po ndodh në një periudhë kur politika fiskale synon shtrenjtimin gradual të produkteve të duhanit.
Sipas kalendarit të akcizës, taksa për cigaret që përmbajnë duhan u rrit nga 7,500 lekë për 1,000 fije në vitin 2025 në 7,750 lekë për 1,000 fije nga 1 janari 2026.
Si rregull rritja e akcizës dhe çmimeve duhet të ushtrojë presion për uljen e konsumit, por të dhënat e importeve të deklaruara tregojnë të kundërtën në tre vitet e fundit, për shkak se kërkesa për cigare mbetet e lartë nga turizmi.
Megjithatë, fakti që rritja vijon për të tretin vit radhazi dhe shoqërohet me rritje të konsiderueshme të të ardhurave nga akciza tregon se tregu formal i cigareve po zgjerohet përsëri pas niveleve shumë më të ulëta të regjistruara në pjesën e dytë të dekadës së kaluar dhe gjatë viteve të pandemisë.
Tregu i cigareve në Shqipëri dominohet pothuajse tërësisht nga importi. Shqipëria ka pasur tradicionalisht rajone të njohura për kultivimin e bimës së duhanit (si në zonën e Shkodrës, Elbasanit, e të tjera), por pjesa më e madhe e prodhimit bujqësor ndër vite është eksportuar si lëndë e parë ose është përpunuar në mënyrë artizanale, pa mundur të mbështesë një industri konkurruese kombëtare të cigares së gatshme./ Monitor







