Vezët e kontaminuara me salmonelë që helmuan disa fëmijë në një kopsht në Gramsh, kanë ardhur nga kompania “Xhenis Sh” Sh.p.k, sipas “Alert.al” me seli në Shkodër.
Ndërkohë konfirmimi se fëmijët u helmuan nga vezët është bërë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) përmes analizave laboratorike, të cilat treguan se të gjitha pesë mostrat e vezëve kishin prani të bakterit.
Kjo kompani rezulton të jetë në pronësi të Belma Çelës, bashkëshortes së deputetit të Partisë Socialiste, Agron Çela. Më herët, kompania ka qenë në emër të vetë Çelës, por në vitin 2013 ai ia kaloi të gjitha aksionet bashkëshortes së tij. Vajza e tyre, Xhenis Çela, është përfshirë në listën e sigurtë të PS-së në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ndërkohë vetë kompania ka mohuar të ketë lidhje me shpërndarjen e vezëve.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me lajmet e shpërndara në disa media dhe portale, sipas të cilave kompania “Xhenis-SH” sh.p.k. ka qenë furnizuesja me vezë e kopshtit në qytetin e Gramshit, ku janë raportuar raste helmimi tek disa fëmijë, jemi të detyruar të bëjmë një përgënjeshtrim të qartë dhe publik:
Kompania “Xhenis-SH” sh.p.k. me nr.NIPT-i: J97113009L, nuk ka asnjë lidhje tregtare apo kontraktuale me institucionin në fjalë. Ne nuk kemi furnizuar dhe nuk furnizojmë me produkte ushqimore asnjë institucion, pasi Objekti i Veprimtarisë tonë është në sektorë të tjerë si: Turizëm, Ndërtim etj. Të gjitha pretendimet që lidhin emrin e kompanisë sonë me këtë incident janë të pavërteta, të pabazuara dhe cënojnë rëndë imazhin, integritetin dhe aktivitetin tonë tregtar të ndërtuar ndër vite me përkushtim, transparencë dhe respekt për ligjin.
Kompania Xhenis-SH” sh.p.k. operon prej vitesh në tregun shqiptar duke respektuar standardet më të larta në fushat ku ajo vepron: Ndërtim, Hoteleri – Turizëm etj.
U bëjmë thirrje mediave që kanë shpërndarë këtë informacion të rremë të përgënjeshtrojnë publikisht lajmin dhe të ndjekin standardet profesionale të gazetarisë përpara se të publikojnë informacione që dëmtojnë rëndë emrin e një biznesi të ndershëm.
Rezervojmë të drejtën për të ndjekur rrugët ligjore ndaj çdo deklarimi të rremë apo shpifjeje që prek interesat tona.
Me respekt, “Xhenis-SH” sh.p.k.
Tre ditë më parë, AKU bëri të ditur se analizat e kryera në qumësht dhe mish pule nuk treguan prani të salmonelës. Pas shenjave të helmimit, u morën analiza nga 72 persona, 53 fëmijë dhe 19 anëtarë të stafit të kopshtit, ku rezultoi se 17 fëmijë ishin prekur nga salmonela, sipas Institutit të Shëndetit Publik.
Ngjarja ndodhi më 20 maj, por reagimet zyrtare erdhën vetëm pasi rasti u publikua nga mediat dhe rrjetet sociale. Autoritetet mohuan se ngjarja ishte mbajtur e fshehtë.