Hapja e ekspozitës “Dy kohët”, më 5 mars, ora 18:30, në “Art Studio Kaceli”.
Kjo ekspozitë sjell 108 piktura ndërmjet dy epokave krijuese, njera para dhe tjetra pas viteve 90-të.
Në të gjithë koleksionin evidentohet menjëherë stili karakteristik i zotit Buron Kaceli por një sy i mprehtë mund të dallojë njëkohësisht edhe evoluimin e “penelit” të tij përgjatë viteve.
Personazhet dhe peisazhet përkojnë me vitet kur ato janë krijuar por kjo nuk e ka penguar Buronin t’i realizojë keto vepra plot shprehi e gjallëri. Jane piktura aq përçuese sa gati-gati mund të kuptosh edhe vet emocionet e piktorit.
Përveç teknikës së realizimit, edhe kompozimi “kacelian” i tablove e bën menjëherë të dallueshëm autorësinë e tyre.
Përpos larmishmërisë së tematikave, në shumë prej tablove evidentohet lejtmotivi i tradicionales i paraqitur në forma të ndryshme si për të shpehur kështu, ndërgjegjen identitetare të këtij artisti.
Buron Kaceli, i biri i piktorit gjithëaq të famshëm Sadik Kaceli, ka lindur më 1948 dhe mban titullin “Mjeshtër i madh” në pikturë. Ai rendit një aktivitet të gjerë dhe të larmishëm në fushën e pikturës përgjatë gjithë jetës së tij.
Gjithashtu gjatë aktivitetit përurues të kësaj ekspozite, mes miqve dhe artdashësve, zotit Buron Kaceli iu dha edhe titulli “Fisnikëria e Tiranës” nga shoqata “Tirana”.
Në fjalën falenderuese zoti Buron theksoi se për të është gjithnjë nder të vleresohet me tituj si ata të mëparshmit që nuk i ka të pakët porse vlerësimi i komunitetit të tij nga i cili ai ka marrë tharmin artistik e mbushte dhe e plotësonte tërësisht këtë artist.
Ekspozita do të jetë e hapur deri më 20 mars, para dite 10.00-13.00 dhe pasdite 16.30- 19.00.