Një grabitje me armë zjarri është regjistruar këtë të hënë në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ku pre e autorit ka rënë një bankë e nivelit të dytë.
Sipas informacioneve paraprake, personi ende i paidentifikuar ka hyrë në ambientet e bankës i maskuar, duke mbuluar fytyrën me një shall dhe duke mbajtur një skafandër.
Autori dyshohet se ka kërcënuar me armë arkëtaren, duke ia drejtuar armën në kokë dhe duke e detyruar t’i dorëzonte paratë. Para se të largohej, ai ka kërcënuar edhe rojën e sigurisë, duke i drejtuar armën për ta penguar të ndërhynte.
Pas grabitjes, personi është larguar me një monopatinë në drejtim të stadiumit “Dinamo”.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.







