Në korrik të vitit 2020, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli tenderin për mirëmbajtjen 4 vjeçare të rrugës Rrëshen- Shpal- Ura e Repsit. Fondi limit i tenderit ishte përcaktuar 220 milionë lekë ose 2.2 milionë euro me kursin aktual.
Në garë u paraqitën 4 oferta, ku më e ulëta ishte ajo kompanisë Kthella, e cila ofroi ta mirëmbante rrugën për katër vjet me çmimin 1.35 milionë euro ose gati 1 milionë euro më pak se fondi limit.
Ofertat e tjera ishin Alb Shpresa & Mela me çmim 1.5 milionë euro, Jubica me çmim 1.75 milionë euro dhe në fund bashkimi i shoqërive Munella & Drini-1, që ofruan vlerën më të lartë prej gati 2 milionë euro.
Ofertat e paraqitura ne tenderin e mirembajtjes se rruges Rreshen-Ura e Repsit
Autoriteti Rrugor Shqiptar, në atë kohë i drejtuar nga Ergys Verdho, skualifikoi ofertën më të ulët, atë të kompanisë Kthella me arsyetimin se oferta përmbante risk të lartë për mospërmbushje të detyrimeve kontraktore. Si rrjedhojë ARRSH shpalloi fituese të tenderit, ofertën e bashkimit të shoqërive Alb Shpresa & Mela me çmim 1.5 milionë euro duke e vlerësuar atë me 85.33 pikë, ndërsa oferta e Aek Munella & Drini-1 u vlerësua e fundit me 78.33 pikë.
Vleresimi i fituesit nga ARRSH
Por pas këtij vendimi të ARRSH, dy kompanitë që kishin ofruar çmimin më të lartë, Munella dhe Drini-1 e ankimuan vlerësimin në Komisionin e Prokurimeve Publike. Kjo ishte zanafilla e një procesi, që më vonë do t’i hapte jo pak telashe, Jonaid Myzyrit.
KPP ia dha tenderin ofertës 500 mijë euro më të shtrenjtë
Pasi shqyrtoi ankesën Komisioni i Prokurimeve i drejtuar nga Jonaid Myzyri, urdhëroi Autoritetin Rrugor Shqiptar të ribënte rivlerësim të fituesit duke i shtuar pikë bashkimit të shoqërive Munella & Drini-1 si dhe duke ja u pakësuar kompanive që kishin ofertat më të ulëta.
“Metodologjia e propozuar nga Alb Shpresa” shpk nuk përmbush elementët minimale të kërkuar nga ana e autoritetit kontraktor në drejtim të grafikut të propozuar të punimeve dhe si e tillë ajo duhet vlerësuar me një vlerësim ndjeshëm më të ulët se sa ajo e operatorit ekonomik ankimues, gjithashtu edhe meotodologjia e propozuar nga ana e operatorit tjetër ekonomik “Jubica” duhet vlerësuar me pikë më pak se sa ajo e Munella & Drini-1, i cili ka propozuar një kohëzgjatje të më shkurtër të realizimit të punimeve, parë në rrafsh krahasimor me atë të operatorit ekonomik “Jubica” shpk,” thuhej në vendimin e KPP.
Vendimi i KPP qe ia dha tenderin ofertes 500 mije euro me te larte
Kjo fjali e Komisionit të Prokurimeve, praktikisht e përmbyste fituesin e tenderit të majmë duke ja hequr atë kompanisë me ofertën më të ulët dhe duke ia dhënë bashkimit të shoqërive Aek Munella & Drini-1, të cilat kishin një çmim 500 mijë euro më të lartë se sa fituesi që kishte shpall ARRSH, pra joint venture Alb Shpresa & Mela.
Pas vendimit të Komisionit të Prokurimit Publik, Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri rivlerësimin formal të pikëve dhe në janar të vitit 2021 zyrtarizoi si fituese të tenderit ofertën më të lartë të Aek Munella & Drini duke, e cila u merrte qytetarëve shqiptarë padrejtësisht 500 mijë euro.
Cështja e tenderit të mirëmbajtjes së rrugës Rrëshen-Ura e Repsit shpërtheu 5 vite më vonë, teksa SPAK i komunikoi Jonaid Myzyrit marrjen si të pandehur duke e urdhëruar të paraqitet në 30 qershor së bashku me avokatin e tij mbrojtës.
/Kapitali.al/