Neta Fero/Politiko.al
Politika shqiptare mbetet kryesisht e dominuar nga burra/djem. Gratë që hyjnë në këtë arenë e bëjnë këtë jo sepse sistemi i mirëpret, por për shkak të vullnetit të tyre – duke çarë përpara pavarësisht përjashtimit financiar, paragjykimet mediatike, rezistencës së brendshme partiake dhe përpjekjeve sistematike për t’i mënjanuar ato.
Monika Kryemadhi, një nga gratë më të spikatura të Shqipërisë në arenën politike, i ka përjetuar këto sfida vetë.
Nga hyrja e saj e papritur në politikë si nxënëse e shkollës së mesme deri te drejtimi i një partie politike, udhëtimi i saj tregon pengesat e rrënjosura me të cilat përballen gratë në udhëheqjen politike.
Fillimet e një rruge të vështirë
Rrugëtimi i Kryemadhit në politikë nisi krejt rastësisht në nëntorin e vitit 1991, kur si një gjimnaziste e thjeshtë në Tiranë, u ftua nga një shoqe për të marrë pjesë në një takim me të rinjtë socialistë.
Aty u përball për herë të parë me politikanin Musa Ulqini dhe me guximin e saj karakteristik, mori fjalën duke kërkuar që gjimnazistët të mos liheshin pas dore.
Ky moment, që fillimisht u prit me të qeshura, u kthye në pikën e nisjes për një rrugëtim të gjatë politik.
“Në dhjetor të 1991, më pranuan në Partinë Socialiste pa mbushur ende 18 vjeç, një përjashtim nga statuti i partisë,” kujton ajo.
Megjithatë, politika nuk ishte zgjedhja e parë e saj. Fillimisht dëshironte të bëhej mjeke, por pas një zhgënjimi në konkursin për fakultet, përfundoi duke studiuar biokimi.
“Nuk është se doja të ndikoja, por nuk fitova Fakultetin e Mjekësisë për vetëm një pikë. Më pas u detyrova të konkurroja për Biokimi edhe pse dëshira ime ishte të bëhesha mjeke. Fati më çoi në një drejtim tjetër.
Ndoshta ky ‘aksident’ më lidhi më shumë me grupin e studentëve dhe pedagogëve në fakultet, gjë që më bëri të mos shkëputesha asnjë moment nga rinia dhe partia. Dashur pa dashur, të gjitha rrugët më çuan aty,” rrëfen ajo.
Sfidat dhe kompromiset
Politika është një arenë e egër, ku shpesh kërkohen kompromise. Kryemadhi pranon se ka bërë shumë të tilla, disa prej të cilave sot nuk do t’i përsëriste.
“Ka gjëra që, me mendjen që kam sot, nuk do t’i kisha bërë, por e shkuara nuk kthehet,” thotë ajo.
Një tjetër sfidë e madhe për gratë në politikë është presioni për të ndjekur “rregullat e pashkruara”. Sipas saj, gratë përballen me mosbesim dhe me një mjedis që nuk i favorizon.
“Ambienti politik është i egër edhe sot, pavarësisht kuotave që garantohen për gratë. Nëse një grua synon të jetë e pavarur, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, përballet me sfida të shumëfishta,” thekson ajo.
Financimi – një pengesë e madhe për gratë
Një nga pengesat më kritike dhe më të vazhdueshme për gratë në politikë është përjashtimi financiar. Ndërsa burrat në partitë politike shpesh kanë mbështetje institucionale dhe akses tek donatorët kryesorë, gratë lihen të lundrojnë në një fushë loje të pabarabartë, ku burimet janë të pakta dhe vendimet për financimin merren kryesisht nga udhëheqja mashkullore.
“Fushatat tona financohen me lëmoshën që jep kryetari, jo partia. Gratë shpesh bëjnë kompromise për të siguruar një vend të sigurt në lista, duke mos lejuar që të vijnë gra të tjera pas tyre,” thotë ajo.
Pa mbështetje të drejtpërdrejtë financiare nga partitë politike, gratë detyrohen të mbështeten në rrjetet lokale, përpjekjet bazë dhe mikrostrategjitë për të financuar fushatat e tyre, ndërkohë që kandidatët meshkuj përfitojnë nga burimet e strukturuara institucionale.
Duke e njohur këtë përjashtim sistemik, Kryemadhi u bë pioniere në avokimin e një buxheti të veçantë për gratë brenda strukturës së partisë.
Nën udhëheqjen e saj, statuti i Partisë së Lirisë u ndryshua për të mandatuar mbështetjen financiare për Lëvizjen e Grave për Integrim (LGI), një dispozitë historike që synonte të garantonte burime për angazhimin politik të grave në partinë e saj.
“Neni 17.6 i Statutit të Partisë së Lirisë parashikon që në buxhetin e partisë të ketë zëra të veçantë për Lëvizjen e Gruas për Integrim (LGI) dhe Lëvizjen Rinore për Integrim.
Statuti përcakton se LGI duhet të përfaqësohet në të gjitha nivelet e partisë me një kuotë jo më pak se 50% (neni 17).”
Megjithëse ekziston një linjë buxhetore e përcaktuar për LGI, statuti nuk specifikon burimin e financimit dhe mënyrën e funksionimit të kësaj linje, çka lë hapësirë për interpretime mbi zbatimin e saj në praktikë.
Kjo mungesë zbatimi i lë hapësirë udhëheqjes së partisë që të vazhdojë të kontrollojë burimet financiare dhe të mënjanojë gratë nga strukturat vendimmarrëse.
Në fushatën e vitit 2021, përjashtimi financiar arriti në ekstreme të reja, me Kryemadhin dhe partinë e saj që po përballeshin me sulme të synuara që synonin ndërprerjen e aksesit të tyre në financim.
“Donacionet i kemi drejtuar gjithmonë në bankë, sepse krijuam një faqe interneti për transparencën e partisë. Por më pas e mbyllëm, sepse qeveria sulmonte të gjithë ata që na jepnin donacione.
Ishte si t’i varje mëlçitë ujkut në qafë. Në fushatën e 2021-it kemi punuar në kushte shumë të vështira, pasi u sulmuam nga të gjitha anët – si nga PD e Lulzim Bashës, ashtu edhe më egërsisht nga PS dhe inceneratorët, të cilët kishin vetëm një qëllim: eliminimin e LSI-së,” shprehet Kryemadhi.
Mungesa e autonomisë financiare mbetet një nga sfidat më të mëdha për gratë në politikë. Një studim mbi “Gjinia, Paraja dhe Politika”, i kryer nga Rrjeti i Grave për Barazi në Vendimmarrje dhe i mbështetur nga NDI përmes Zyrës së Jashtme, Commonwealth & Development (FCDO), nxjerr në pah këtë realitet.
Pa akses të drejtpërdrejtë në fondet e partisë, financimin e fushatës dhe rrjetet e pavarura të donatorëve, gratë mbeten në një situatë të pamundur—të detyruara të mbështeten në vullnetin e mirë të liderëve të partisë ose të bëjnë kompromise politike për të mbijetuar.
Derisa aksesi financiar të jetë i garantuar, transparent dhe i institucionalizuar, prania e grave në politikë do të mbetet e kushtëzuar dhe jo e pavarur.
Gratë në politikë: të vlerësuara, por jo të votuara
Pavarësisht se shumë gra arrijnë të fitojnë një farë autoriteti dhe vlerësimi në politikë, kur vjen puna te votat, mbështetja shpesh mungon. Kryemadhi e lidh këtë fenomen me mungesën e një aleance mes grave.
“Ne gratë nuk jemi aleate të njëra-tjetrës. Në vend që të mbështesim njëra-tjetrën, shpesh bëhemi pengesa kryesore. Një grua nuk e vret një burrë në politikë, ai vetëm e plagos. Goditjen fatale gjithmonë ia jep një grua tjetër,” thekson ajo.
Sistemi patriarkal mbizotërues jo vetëm që e bën më të vështirë për gratë përparimin në politikë, por gjithashtu krijon barriera strukturore që kufizojnë aftësinë e tyre për të mbështetur njëra-tjetrën.
Në vend që të nxisë solidaritetin, sistemi i detyron gratë të konkurrojnë për mundësi të kufizuara, duke i pozicionuar ato si rivale dhe jo aleate.
Këto sfida e bëjnë rrugëtimin e tyre politik edhe më të vështirë, pasi ata duhet të lundrojnë në përjashtimin, pabarazitë financiare dhe rezistencën sistematike, ndërsa përpiqen të krijojnë hapësirë për veten dhe të tjerët.
“Një grua në politikë duhet të bindë veten e saj që nuk është shërbëtore e burrave. Nëse nuk e pranon këtë rol, atëherë bëhet objekt i sulmeve dhe paragjykimeve. Në politikë, injoranti dhe i ligu bashkohen për të ngritur mure kundër një gruaje të fortë,” thotë Kryemadhi.
A është Shqipëria gati për një grua kryeministre?
Nëse do të ketë një grua kryeministre në Shqipëri, Kryemadhi beson se kjo mund të ndodhë vetëm nëse ajo arrin të bashkojë burrat rreth saj.
“Pse jo? Nëse ka një grua që mund të bashkojë burrat e Shqipërisë, atëherë do të kemi një kryeministre grua. Nuk e di nëse do të ndodhë afër apo larg në kohë, por një ditë kjo do të ndodhë,” shprehet ajo.
Për gratë që duan të hyjnë në politikë, Kryemadhi ka vetëm një këshillë:
“Nuk mund të besosh askënd, vetëm veten tënde.”
Në një sistem ku rregullat e lojës favorizojnë burrat dhe ku gratë shpesh mbeten të pambrojtura në arenën politike, rrugëtimi i një gruaje për të arritur majat e pushtetit kërkon jo vetëm kurajo dhe vendosmëri, por edhe një luftë të vazhdueshme për të mos u përdorur si fasadë.
Deri atëherë, sfida mbetet: si të kalohet nga vlerësimi në votë?