Me mesfushën dhe sulmin “të blinduar”, Partizani është në kërkim në të një qendërmbrojtësi të nivelit të lartë. “Panorama Sport” mëson se i pari në listën e dëshirave të kampionëve, ashtu si edhe në merkaton e verës, është Eneo Bitri. Beratasi aktualisht është pjesë e Valerengës në Norvegji, ku ka kontratë edhe për dy vite e gjysmë.
Në sezonin e fundit skuadra ra një kategori më poshtë dhe kjo i bëri drejtuesit e kuq që të shpresonin për të provuar të bindin ish-kapitenin. Aktualisht ky mision duket mjaft i vështirë për shkak të pengesave kontraktuale, por edhe financiare.
Fakti që ka një kontratë afatgjatë me norvegjezët, por edhe se atje ka një pagë shumë më të lartë seç do t’i siguronin te Partizani, këto e bëjnë Bitrin që për momentin të refuzojë rikthimin në shtëpinë e kuqe.
GJITHNJË KA NJË “POR” – Në asnjë moment beratasi nuk e ka fshehur dashurinë për fanellën e kuqe dhe kënaqësinë e të luajturit me 17 herë kampionët. Një rikthim të ngjashëm ai e bëri edhe në janarin e vitit 2022, duke lënë Astanën për “demat”.
Bitri dhe Skuka janë dy miq të mirë dhe kalonin shumë kohë së bashku kur ishin pjesë e “demave”.
Rikthimi i dibranit mund të jetë një indicie për Bitrin për t’u bindur. Me siguri dibrani do t’ia thotë dy fjalë beratasit dhe të provojë t’a bindë të kthehet që të veshë fanellën e kuqe.
FORMULA – Valerenga vështirë të heqë dorë përfundimisht për një mbrojtës që e ka blerë 500 mijë euro. Huazimi është opsioni më mundshëm i kësaj lëvizjeje, me norvegjezët, që e nisin sezonin e ri në muajin prill dhe do të privoheshin nga shërbimet e Bitrit vetëm rreth 1 muaj, deri në maj.
Sakaq, si opsion për mbrojtjen e kuqe kthehet edhe Egzon Bejtullai, i cili vetëm së fundmi mësohet se ka ndërprerë kontratën me Gjilanin, ku qëndroi pak më shumë se dy muaj.