Rikthimi i Xhuliano Skukës te Partizani duket si çështje e mbyllur. Indirekt rikthimi i sulmuesit dibran është quajtur i finalizuar, pasi një gjë të tillë e kanë bërë disa personazhe të lidhur me “demat e kuq”.
Fillimisht ka qenë kapiteni Valentino Murataj, i cili me një postim në Instagram ka dhënë sinjalin e ribashkimit me Skukën.
Por një sinjal më i fortë ka ardhur nga brenda familjes së presidentit të Partizanit. Vajza e presidentit Demi ka postuar në profilin e saj një “story”, ku duket Skuka duke festuar një gol me fanellën e Partizanit.
Por historia nuk mbaron këtu, pasi këtë postim e ka shpërndarë edhe sulmuesi dibran. Ndaj mbetet për të parë se kur do të finalizohet rikthimi i Skukës, i cili në fillim të sezonit u huazua nga francezët e Metzit te Maribori.
Gjasat janë të mëdha që klubi francez ta kthejë Skukën te Partizani fillimisht në formë huazimi deri në fund të këtij sezoni.
DETAJET – Burime për “Panorama Sport” bëjnë me dije se operacioni për rikthimin e Xhuliano Skukës te Partizani e ka marrë udhën që para ndeshjes së Supërkupës ndaj Egnatias. Dibrani në atë sfidë ishte pranë skuadrës, madje para nisjes ai qëndroi në pankinë së bashku me kapitenin Hoxha.
Dëshira e vetme e dibranit është rikthimi në shtëpinë e kuqe, ku do të kërkojë të rilindë sërish dhe të rikthehet i dikurshmi pas një viti të vështirë në Metz dhe Maribor.
Ajo që e bën akoma më “të ëmbël” këtë lëvizje është fakti se Partizani nuk pritet të paguajë asnjë cent për këtë lëvizje. 25-vjeçari me shumë mundësi do të vijë në huazim, me Metzin, që do të paguajë 100% të pagës së tij.