Gentian Gjyli është nën hetim nga SPAK për korrupsion me tenderat, por ndërkohë vazhdon punën në zyrë duke firmosur miliarda lekë prokurime të dyshimta. Ky është drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, që i firmosi një tender biznesmenit Robert Zyka, ndërkohë që bënte seanca pyetjesh në zyrat e SPAK.
Do të ishte efektive që drejtorët që dyshohen për korrupsion, t’u hiqet e drejta për të prokuruar paratë e buxhetit të shtetit. Kjo nuk ka lidhje me prezumimin e pafajësisë (në procesin penal) por është një masë administrative që duhet ta ndërmarrë eprori i tij, Edi Rama.
Për të ilustruar rrezikun nga drejtorë të tillë, le të shohim se si u zhvillua tenderi me objekt “Loti 8: Mirëmbajtje me Performancë “K/Çermë – Divjakë, Rr.Divjakë – Plazh Divjakë, Fier Shegan – Divjakë, K/rr. Nacionale – Grabian” (65 km).
Janë 173 145 177,00 lekë pa TVSH nga buxheti i shtetit për mirëmbajtjen e rrugëve në zonën e Divjakës.
Këto janë rrugët për të cilat bëhet tenderi i ARRSH:
Duhet theksuar se kontratat e mirëmbajtjes së rrugëve në përgjithësi nuk zbatohen dhe firmat marrin para qyl.
Ky është një denoncim i bërë në dhjetor 2022 nga deputeti Erion Braçe për mirëmbajtjen e rrugës Fiershegan-Divjakë.
“Eshte rruga FIER SHEGAN-PUSHIMI I SHOFERIT, segmenti nga FIER SHEGAN ne KRYQEZIMIN e ALLKAJ;
Shihni ckane bere; Kane gerryer bankinat me cakull ne kete segment dhe inertet i kane hedhur ne kete KANAL, i cili eshte K-13, KULLUESI qe mbledh gjithe ujrat e jugut te Lushnjes, i dergon ne emisar e permes tij ne KARAVASTA, DIVJAKE, prej aty ne det. Pra, KANALI ESHTE JETIK E NUK MUND TE CENOHET NE ASNJE CENTIMETER TE SEKSIONIT E GJATESISE SE TIJ. Ne ane tjeter, rruga ka nevoje per mirembajtje ne trupin e saj, segmente qe kane nevoje per riveshje, jo per VIJEZIME NE NJE RRUGE ME GROPA!
Nje lutje kam: Boll me kete lloj mirembajtje! Nuk eshte e tille! Eshte kot!” shkruante deputeti në faqen e tij zyrtare.
Në rastin konkret sipas dokumenteve të tenderit “Shtresat rrugore janë në gjendje të mirë. Kanalet anësore, bankina dhe bimësia kanë nevojë për pastrim rutinë. Sinjalistika dhe siguria rrugore ka nevojë për rifreskim dhe zëvendësim”, përshkruhet në projektin e ARRSH.
Tenderi është mbajtur më 11 nëntor 2024, ndërkohë u mbajt sirtarëve dhe përfundoi në 4 prill 2025, kur Gjyli u kujtua ta rishpallë procedurën me njoftim fituesi. Më pas mësuam se në këtë tender janë paraqitur 11 operatorë ekonomikë, por pjesëmarrja e tyre ishte pa dobi, sepse u skualifikuan të gjitha, përveç firmës “Besta” shpk.
Skualifikim i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit/ Skualifikim i ofertës me vlerë më të ulët”, kështu e ka klasifikuar tenderin Open Data Albania. Procedura është shënuar me “Flamur të kuq” që është shenja e riskut të korrupsionit.
Kush është përfituesi i tenderit?
Përfituesi i tenderit është Robert Zyka, pronar i “Besta” shpk nga Dimali. Ai është partner biznesi me Shkëlqim Fushën, pronarin e kompanisë së njohur “Fusha” shpk që është e lidhur me interesat korruptive të Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Kjo i ka siguruar, jo vetëm kontrata të përbashkëta me Fushën, por edhe mbështetje politike për të përfituar sa më shumë tendera.
Kompania “Besta” shpk arriti kulmin e vlerësimit nga kryeministri Rama në vitin 2022, kur Këshilli i Ministrave miratoi dhënien me koncension të portit të Vlorës, i cili do të shndërrohet në port jahtesh.
Për ndërtimin e portit të ri të Vlorës, qeveria u ka dhënë koncencionin 5 kompanive, ku njëra prej tyre është “Besta” Shpk e Robert Zykës.
Pas kësaj, “Besta’ nuk do të ndalej duke futur në portofolin e vet shumë kontrata nga institucionet vendore. Një rast i tillë është tenderi në janar 2024 me objekt “Rehabilitim i nyjes se trafikut Mangalem”. Kompania mori 186 milionë lekë me firmën e kryebashkiakut Ervin Demo. Konkretisht, do të bëhet rehabilitim i një rrugice të vogël që ndodhet në këtë lagje të vjetër të Beratit. Ky tender menjëherë ka marrë “Red Flag” nga Open Data Albania që e vlerëson me risk korrupsioni.
Në mars 2025, paralelisht me kontratën e përfituar nga ARRSH, “Besta” e Robert Zykës do të merrte nga kryetarja e Bashkisë, Eriselda Sefa, tenderin afro 400 milionë lekë për riparimin e rrugës Lushnje-Ballgat. Open Data Albania i ka vendosur tenderit “Flamurin e kuq”. Më konkretisht bëhet fjalë për prokurimin me objekt “Parandalimi i rrëshqitjeve duke ndërtuar mure mbajtëse dhe përmirësim i shtresave rrugore në aksin Lushnjë-Hysgjokaj-Ballagat”.
Në 8 maj 2025, “Besta” ka marrë nga kryebashkiaku i Skraparit, Adriatik Mema (edhe ky personazh i SPAK) tenderin “Rikualifikim urban në lagjen “5 Shtatori”, Çorovodë, blloku nr.1 (faza e I)” me fond limit 40 084 195,00 lekë pa TVSH. Edhe këtë radhë me “Flamur të kuq”.
Nga i njëjti kryebashkiak, më 25 maj 2024, Zyka kishte marrë tenderin me “Flamur të kuq” me vlerë 250 milionë lekë. Ky rast ishte prokurimi me objekt “Rehabilitim urban në të dy anët e rrugës “Arkitekt Kasëmi”.
Drejtori merret i pandehur nga SPAK
Më 13 maj 2025, Prokuroria e Posaçme vuri nën akuzë 25 persona, për abuzime me tenderët e rrugëve. I pandehur është kreu aktual i ARRSH, Gentian Gjyli, ndërsa ish-Drejtorit të ARRSH, Evis Berberi, i shtohen akuzat pas asaj për korrupsion dhe pastrim parash për të cilat ndodhet në burg.
‘U mora i pandehur’, tha Gjyli ndërsa dilte nga SPAK i nervozuar. Në këtë reagim duket se kreu aktual i Autoritetit Rrugor Shqiptar nuk e ka pritur mirë statusin e të pandehurit të drejtësisë për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tendera.
Janë mbi 10 praktika prokurimi të hetuara nga prokurori Dritan Prençi, i cili ka vënë nën hetim biznesmenë e zyrtarë publik, si edhe inxhinier të ARRSH. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre dhe shkelje e barazisë në tendera.
Gentian Gjyli u emërua drejtor i ARRSH më 28 mars 2024, një javë pas arrestimit nga SPAK të ish-drejtorit Evis Berberi, më 14 mars 2024. Kreu i ARRSH Gentian Gjyli, është thirrur edhe më herët në SPAK ku ka dëshmuar mbi procedurat e ndjekura në tenderët e rrugëve, gjatë kohës që ai ishte numri 2 i ARRSH-së dhe drejtor Evis Berberi, në hetim nga SPAK nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’.
Në burg janë dhe dy biznesmenët Valter Begaj dhe Ervis Lami, si bashkëpunëtorë në skemën e përfitimit të tenderëve, si pronarë të kompanive që fitonin tenderat fiktivë, por ku përfituesi fundor ishte vetë ish-kreu i ARRSH, Berberi.
©️Gijotina