Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se ministrja virtuale ‘Diella’ do të vijë në ndihmë të qytetarëve që hasin vështirësi në përdorimin e portalit e-Albania. Asistenca do të përfshijë të gjithë procesin, nga identifikimi i shërbimit të kërkuar deri te plotësimi i formularëve përkatës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka njoftuar gjithashtu se 19 shërbime janë bërë tashmë më të thjeshta për t’u përdorur. Një tjetër risi lidhet me mënyrën e identifikimit në portal, ku qytetarët mund të aksesojnë llogarinë e tyre edhe përmes Face ID ose gjurmës së gishtit, pasi të kenë aktivizuar këto funksione.
“Të dashur prindër dhe gjyshër, tani mjafton t’i flisni Diellës dhe ajo ju ndihmon hap pas hapi, nga gjetja e shërbimit te plotësimi i formularëve e-Albania 9 shërbime tashmë më të lehta për t’u përdorur, ndërsa hyrja në e-Albania mundësohet edhe përmes Face ID ose gjurmës së gishtit, pas aktivizimit😍
🎥 Ndiqni udhëzimet në video dhe shikoni sa e thjeshtë është🤝🇦🇱”, shkruan kreu i qeverisë krahas videos së postuar në rrjetet sociale.







